“Xhaçka ministre edhe investitore strategjike, deputete edhe pronare e plazhit publik”: PD kërkesë Kushtetueses
Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kundërshtimin e vendimit të djeshëm nga Kuvendi si dhe atë për konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Në një deklaratë për mediat, deputetit të PD, Agron Shehaj tha se mazhoranca e shndërroi Kuvendin në një mburoje për të korruptuarit e qeverisë.
Shehaj u shpreh se “ky është një akt shumë i rëndë, e megjithatë, jo surprize për ne sepse në këto 10 vjet, kjo maxhorancë ka shfrytëzuar pushtetin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe me pas kanë përdorur kartonat e Parlamentit si mburoje për korrupsionin e tyre”.
Ai theksoi se PD do t’i shkojë deri në fund betejës me korrupsionin dhe abuzimet e kësaj qeverie.
“Ministrja Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht edhe Ministre e Jashtme edhe investitore strategjike. Nuk mund të jetë edhe deputete edhe pronare e plazhit publik. Ndaj i takon Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimin formal, të asaj që ligji dhe Kushtetuta e diktojnë fare qartë”, deklaroi Shehaj.
Në seancën e djeshme plenare e cila përfundoi pas mesnatës, u paraqitën dy raportet e Këshillit për Rregulloren, Mandateve dhe Imunitetit me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Deputeti i PD, Gazmend Bardhi, paraqiti draft-raportin e grupit parlamentar demokrat, ku mes të tjerash theksoi se pas konstatimit të fakteve dhe analizës ligjore është konkluduar se Xhaçka ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë, të përcaktuar në Kushtetutë, çka duhet të sjellë edhe përfundimin e mandatit të saj si deputete dhe se Kuvendi ka detyrimin ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, në respekt edhe të praktikës së mëparshme të ndjekur më parë.
Deputetja e grupit parlamentar socialist, Klotilda Bushka, paraqiti draft raportin e shumicës parlamentare për kërkesat për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, ndër të tjera argumentoi se për sa parashtrohet në dy kërkesat për mocion dhe në referim të parashikimeve kushtetuese, nuk ndodhemi përpara rastit kur duhet vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese.
Bushka theksoi se nga aktet e depozituara prej kërkuesve të dy mocioneve, nuk rezulton që deputetja Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj të plotësohen kriteret kushtetuese për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese.
Raporti i grupit parlamentar demokrat u rrëzua me 21 vota pro, 73 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa raporti i grupit parlamentar socialist u miratua me 73 vota pro, 21 kundër dhe anjë abstenim.
Fraksion.com