AktualitetPolitikëTë fundit

Vlerësim shembullit dhe kontributeve për artistë, sportistë e sipërmarrës vlonjatë

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm mbrëmjen e sotme në eventin “Krenaritë e komunitetit”, në Vlorë.

Në fjalën e tij, Rama tha se “sot vlerësojmë shembullin dhe kontributin e disa njerëzve, por pa diskutim që janë shumë më tepër se kaq që meritojnë të njëjtin vlerësim”.

“Pa diskutim që ne do të zhvillojmë përsëri aktivitete të kësaj natyre. Më vjen shumë mirë që edhe larmia e personazheve flet për një komunitet me gjallëri që ka aktivitete të larmishme, ku spikasin njerëz që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës”, tha ai.

Në shenjë simbolike, kryeministri Rama u dorëzoi një anije secilit prej qytetarëve të përzgjedhur në këtë event.

Në këtë event u nderua kompozitori Aulon Naçi, një artist i kthyer nga Brukseli pas thirrjes së kryeministrit për kthimin e artistëve në atdhe.

Po ashtu u nderua kampionia e kickboxing, Ilda Lelo, e cila e mban këtë titull për 8 vite radhazi, si dhe trajnerja e ekipit të vajzave të basketbollit, Elona Ismailaj.

Kryeministri nderoi Arbër Binajn, një i ri që po çon para traditën e artizanatit në Vlorë.

Pjesë e personave të vlerësuar në këtë aktivitet ishte edhe italiani Maks Sanacore, një sipërmarrës dhe bloger që promovon Vlorën dhe Shqipërinë.

Kryeministri vlerësoi Daniel Xhavarin, një emigrant i rikthyer në atdhe, i cili ka ngritur një fermë për mbarështimin e kërmijve.

Po ashtu u vlerësuan edhe sipërmarrësi Ardian Aliko, i cili ka realizuar 18 milionë euro eksporte në vendet europiane; Vasil Bedinaj, përfaqësues i operatorëve dhe turizmit në Vlorë; Marenglen Rushiti, sipërmarrësi i furrës së bukës “Karabash”; Geront Çela sipërmarrësi i “Brunes” dhe investitor i projektit të portit turistik të Vlorës, ku parashikohet edhe një kompleks elitar turizmi.

 

Fraksion.com