Shqipëria pjesë e mekanizmit europian për Mbrojtjen Civile, komisioneri Lenarçiç: Të punojmë për shpëtimin e jetëve
Shqipëria bëhet pjesë e mekanizmit të BE për Mbrojtjen Civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore. Ditën e sotme është firmosur marrëveshja në ambientet e COD mes Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Komisionierit Europian për Mbrojtjen Civile, Janez Lenarçiç.
Në fjalën e tij, komisioneri përmendi tërmetin dhe zjarret me të cilat është përballur Shqipëria vitet e fundit duke thënë se njësitë europiane iu gjendën menjëherë pranë për t’i ndihmuar. Po ashtu theksoi rëndësinë e ndërtimit të mbrojtjes civile në vendin tonë në mënyrë që të shpëtohen më shumë jetë dhe të kursehen para.
“Shqipëria tani është e integruar plotësisht në familjen europiane të mbrojtjes civile. Është anëtar i Mekanizmit për Mbrojtjen Civile. Kjo është e rëndësishme pas tërmetit 2019, zjarreve të këtij viti, ne e dimë që do të ketë fatkeqësi në të ardhmen sërish dhe me disa prej tyre mbase nuk do ia dalin dot të vetëm. Shqipëria është një nga vendet të preken nga ndryshimet klimatike. Këto impakte të ndryshimeve po rriten siç e shihni me sezonin e thatë, temperaturat e larta, zjarret në pyje etj. Kjo bën shumë sens që të bashkojmë kapacitetet dhe t’i përballim bashkë. Shqipëria është përballur me tërmet në 2019 dhe kërkoi mbështetje, mekanizmi i njësive europiane shkoi të asistonte. E njëjta ndodhi në verë. Kjo nuk do të ndryshojë dhe Shqipëria do të ketë mundësi të marrë mbështetjen tonë. Shqipëria do të përdorë më shumë pajisje ekspertize dhe të ndërtojë mbrojtjen e saj civile. Të gjithë do të punojmë bashkë për këtë se do të shpëtojë shumë jetë dhe shumë para”, tha Lenarçiç.
Kryeministri Edi Rama e cilëson si një hap më pranë BE-së, anëtarësimin e Shqipërisë për t’u bërë anëtarë e Mekanizmit të BE-së për Mbrojtjen Civile. Sipas kryeministrit Edi Rama, sot jemi një hap më pranë BE-së dhe BE-ja është një hap më afër nesh, në një rrugë që tanimë bëhet çdo ditë e më e përbashkët.
Mekanizmi i mbrojtjes civile synon të forcojë bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE -së dhe shteteve pjesëmarrëse në mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore. Themeluese e agjencisë është Komisioni Evropian (KE) i cili luan rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj katastrofave duke kontribuar me mbi 75% të kostove të transportit. Përveç shteteve anëtare të BE-së, aktualisht janë edhe gjashtë shtete tjera pjesëmarrëse në këtë mekanizëm duke filluar nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Islanda, Norvegjia dhe Serbia.
Fraksion.com