“Nuk tërhiqemi, s’mban më”, qytetarët të vendosur në protestën kundër traut në parkun e Divjakës
Dhjetëra banorë kanë dalë të protestojnë për të pestën ditë kundër traut për të hyrë në Parku Kombëtar të Divjakës.
“Kjo e vogël është por dëmin e bën shumë të madh, në turizëm, në biznes, në komunitet, nuk ka hyrje dalje tjetër, do të na kushtonte shumë, nuk donim të konfliktoheshim, ne nuk kthehemi mbrapsht, mesazhin ia kemi dërguar ministres, nuk mban më, duam ta largojmë këtë kabinë”, tha një prej protestuesve.
Banorët thonë se ishin ata që e ruajtën parkun nga dëmtimi dhe flakët gjatë vitit të trazuar 1997.
Për herë të dytë në Parkun e Divjakës është tentuar të vendoset trau për vjeljen e taksës për ata që duan të hyjnë.
Punonjës të kompanisë që ka të drejtën e vendosjes së traut nisën punimet pasditen e së hënës. Por ashtu si dhe herën e parë këto punime u ndaluan nga Bashkia Divjakë për mungesë dokumentacioni.
Sipas informacioneve të marra, trau do të vendoset pas një vendimi të marrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për vjeljen e të ardhurave nga zonat turistike. Këtë të martë ata protestuan.
Ky vendim për bizneset e zonës është një rëndesë më e madhe pasi vizitorët që vijnë në park janë më shumë ditorë dhe Divjaka nuk bën pjesë në turizmin elitar.
Sipas tyre çdo lloj tarife do rëndojë vizitorin pasi në Divjakë do paguash për të hipur te kulla, për të shëtitur me varka, për të bërë guida me biçikletë, etj. Këtë vendim më herët e ka kundërshtuar dhe deputeti i zonës Erion Braçe.
Fraksion.com