I flaku mikrofonin deputetes Bushka, Bardhi përjashtohet 5 ditë nga Kuvendi: Përdori gjuhë jo parlamentare
Gazment Bardhi përjashtohet për 5 ditë nga Kuvendi. Shkak për përjashtimin është bërë heqja e mikrofonit të Klotilda Bushkës, kryetares së Komisionit të Ligjeve.
Incidenti ndodhi dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve. Përjashtimi i Gazment Bardhit hyn në fuqi nga data 18 nëntor.
“Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me situatën e krijuar nga deputeti z. Gazmend Bardhi, gjatë zhvillimit të mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të datës 15.11.2022. Në këtë mbledhje deputeti Bardhi përdori gjuhë jo parlamentare ndaj Kryetares së Komisionit, shoqëruar me veprime agresive, duke dëmtuar pajiset audio në sallën e mbledhjes së komisionit, si dhe keqpërdori dokumentacionin e mbledhjes, duke i hedhur shkresat e mbledhjes drejt Kryetares së Komisionit.
Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, neni 63 pika ç dhe neni 65/1, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro dhe 2 Kundër, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seanca plenare për 5 (pesë) ditë”, për deputetin z. Gazmend Bardhi. Vendimi hyn në fuqi më datë 18.11.2022”.
Fraksion.com