Rama: Brenda këtij mandati rrisim me 100% rrogat e mjekëve e infermierëve
Gjatë përurimit të Spitalit të ri Infektiv në QSUT, Rama tha se me buxhetin e ri shkohet në 70% rritje page.
“Me ndihmën e Zotit, që mos të na sjellë një tjetër katastrofë që të na detyrojë të spostojmë fondet e dedikuara për qëllime të caktuara, do të arrijmë ta çojmë në 100% rritjen e pagës për të gjithë”, tha Rama.
Ai siguroi se investimet do të vijojnë edhe në territore të tjera nga Dibra, në Gjirokastër, nga Lezha dhe më tutje në zona të tjera, për ta përmbyllur të gjithë mozaikun e infrastrukturës së shëndetësisë dhe për ta transformuar atë.
“Kjo nuk mjafton. Ne duhet të ecim me autonominë spitalore. Kemi modelin e parë që do t’i hapë rrugën shtrirjes së autonomisë, për të bërë të mundur rritjen e pagës së mjekëve sipas performancës”, tha ai.
Rama theksoi se kjo është ambicia për periudhën në vijim.
“Jashtë vullnetit tonë ne u goditëm përsëri nga një fenomen negativ që nuk e kemi krijuar dhe as e ndalojmë dot. Goditjen e çmimit të energjisë po e përballojmë dhe po i japim mundësi të gjithëve që të mos ndiejnë asnjë qindarkë rritje të çmimit të faturës së energjisë. Ajo që ju keni në faturë është një përqindje e asaj që fatura kushton realisht. Mesatarisht e kemi ndarë barrën, familjet paguajnë 20% ndërsa qeveria 80%. Do të vazhdojmë ta mbajmë të njëjtën mburojë edhe për biznesin e vogël. Do ta mbajmë me të gjithë sforcon e nevojshme këtë goditje dhe do të bëjmë çmos ta zbusim efektin e inflacionit të luftës që sot e kemi më të ulët se vendet e tjera të rajonit”, tha Rama.
Sipas tij, arsyeja kryesore pse inflacioni i luftës është më i ulët se në vendet e tjera të rajonit është mburoja mbi çmimin e energjisë.
“Në Maqedoninë e Veriut janë dyfishuar faturat e energjisë. Në vendet e tjera ka shkuar edhe më shumë se dyfish, që ka ndikuar në inflacionin shumë më të lartë. Unë kam besim se nuk do të lëvizim nga pikat kryesore të planit të investimeve dhe mbështetjes. Mbështetja jonë për gjithë mjekët, infermierët, punonjësit e shërbimit shëndetësor kombëtar ka qenë gjithmonë e materializuar në fakte dhe ne do të vazhdojmë ta materializojmë në fakte”, tha Kryeministri.
Fraksion.com