“Mungesë totale e njerzillëkut”, Rama: Opozita kundër interesave të vendit, nxit sherr dhe konflikt
Kryeministri Edi Rama, në një takim me fermerë në Berat, foli për efektet në ekonomi që vijnë si pasojë e luftës në Ukrainë, ndërsa tha se “atmosfera e një lufte kërkon mirëkuptim kombëtar”.
“Ka një mijë e një arsye për të bërë debate, për t’u kacafytur për çështje të caktuara, por mungesa totale e njerzillëkut dhe jo vetëm mungesa e mirëkuptimit, por nxitja nga mëngjesi deri në mesnatë e keqkuptimit, e mosmarrëveshjes, e sherrit, e konfliktit dhe pasqyrimi gjithmonë e më i deformuar nëpër media i realitetit, janë sot aq evidente, saqë duhet ta bëjnë të mendohet çdo shqiptar. Duhet ta bëjnë të mendohet për çfarë do të thotë sot të jesh shqiptar dhe t’i thuash vetes shqiptar, çfarë do të thotë sot që të jesh krenar për vendin tënd dhe me krenari ta mbrosh vendin tënd dhe pa mbyllur sytë përpara asnjë problemi dhe asnjë shqetësimi dhe asnjë halli që vendi yt mund të ketë, të mos i hapësh më shumë halle, më shumë probleme, më shumë shqetësime duke u sjellë kundër interesave të tij”, tha Rama.
Sipas tij, “kjo nuk vlen fare për ata që këtë punë e bëjnë sepse janë në mision”.
“Janë në mision, për fat të keq. Për fat të keq, është një degë e shtrembër e pemës gjenealogjike e shqiptarëve që është në mision qysh në vitin 1912, që është një mallkim me të cilin duhet të merren shqiptarët vetë, sepse nuk ka kush e zgjidh tjetër. Unë nuk di se çfarë duan të shikojnë akoma me sy dhe të dëgjojnë akoma me veshë disa shqiptarë. Fatmirësisht janë pakicë. Do të jenë pakicë. S’ka se si të bëhen kurrsesi shumicë, se nuk funksionon kështu, por të gjendesh përpara faktesh aq tronditëse dhe aq domethënëse sa shpërblimi financiar nga të huajt, jo dashamirës ndaj vendit, për të ngatërruar vendin tënd dhe të vazhdosh të besosh ose të ndjekësh verbërisht ata që arrijnë deri këtu, kjo është në pikëpyetje shumë të madhe. Realisht, çfarë do të thotë për këta njerëz të jesh shqiptar?!”, tha Rama.
Fraksion.com