Donald Trump shpalli kandidaturën për president të Shteteve të Bashkuara
Ish-presidenti Donald Trump tha të martën se do të zhvillojë një fushatë të tretë për në Shtëpinë e Bardhë, duke nisur një fillim të hershëm të garës për zgjedhjet e vitit 2024. Njoftimi vjen vetëm një javë pas një shfaqjeje zhgënjyese të republikanëve në zgjedhjet afatmesme dhe do ta detyrojë partinë të vendosë nëse do të përqafojë një kandidat, refuzimi i të cilit për të pranuar humbjen në vitin 2020 ndezi një kryengritje dhe sfidoi demokracinë amerikane.
“Për ta bërë Amerikën të madhe dhe të lavdishme përsëri, unë sonte po shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Trump para një auditori prej disa qindra mbështetësish, anëtarësh të klubit dhe shtypit të mbledhur në një sallë me llambadar në klubin e tij Mar-a-Lago, ku ai qëndroi i rrethuar nga më shumë se 30 flamuj amerikanë dhe pankarta që mbanin sloganin e tij “Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”.
“Unë jam duke kandiduar sepse besoj se bota nuk e ka parë ende lavdinë e vërtetë të asaj që mund të jetë ky komb”.
“Ne përsëri do ta vendosim Amerikën të parën”, shtoi ai.
Zhvillimi i një tjetër fushate për Shtëpinë e Bardhë, është një kthesë e jashtëzakonshme për çdo ish-president, aq më shumë për një ish-president që bëri histori, si i pari ndaj të cilit u ngritën dy herë akuza në Kongres për ta shkarkuar. Po kështu zoti Trump e mbylli mandatin mes një sulmi të dhunshëm të mbështetësve të tij ndaj Kapitolit, që synonte të ndërpriste kalimin paqësor të pushtetit.
Vetëm një president në historinë e vendit është zgjedhur në dy mandate jo të njëpasnjëshme: Grover Cleveland në vitin 1884 dhe në vitin 1892./voa
Fraksion.com