AktualitetPolitikëTë fundit

Balluku: Porti i Durrësit, investim strategjik 2 miliardë euro me ndikim edhe për rajonin

Zv. kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, prezantoi sot në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese  projektligjin për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Balluku tha se, “projekti i ballinës ujore të Durrës dhe Marinës, është një nga projektet më të rëndësishme strategjike që janë zhvilluar ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë, që angazhon 2 miliardë euro, me ndikim të madh ekonomik jo vetëm në zonën e Durrësit por në të gjithë Shqipërinë dhe rajonin”.
Sipas Ballukut, kjo veprimtari lidhet me ndërtimin edhe të disa objekteve që do të shërbejnë si njësi tregtare, rezidenca por edhe njësi ku do të akomodohen veprimtari argëtuese.
“I rëndësishme është fakti, se në ish-Portin e Durrësit do të zhvillohet një nga marinat më të rëndësishme të Mesdheut. Këtu do të veçoja faktin se do të parkojnë jahte që shkojnë edhe mbi 100 metra. Në këtë investim do të angazhohen 12 mijë punonjës, duke përfshirë punimet e ndërtimit por edhe më pas në menaxhimin e bizneseve që do të zhvillohen aty”, theksoi Balluku.

Ajo tha se, ky projekt synon të rikthej Durrësin në një pikë të fuqishme turistike, në projeksion të strategjisë kombëtare të qeverisë për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë  së vendit.

Balluku shpjegoi se, pjesëmarrja e shtetit si subjekt aktiv në këtë investim me interes publik së bashku me investitorë privat është një praktikë në vendet e zhvilluara të BE-së.

“Është hera e parë që Republika e Shqipërisë do të jetë bashkëaksionere në një projekt kaq të madh, duke mbajtur 33% të aksioneve dhe shteti do të ketë një rol kyç edhe në fazën e zbatimit të projektit duke ushtruar një kontroll dhe veto në vendimmarrje si aksionere, duke ruajtur interesin publik dhe moscënimin e interesit të shtetit shqiptar në asnjë rast”, tha ajo.

Balluku tha se, përparësia për zhvillimin e Ekonomisë Blu, bazuar në strategjinë për zhvillimin e transportit detar dhe infrastrukturës portuale, synon që portet tregtare që tashmë po humbin kapacitet e tyre të operimit në Shëngjin, Vlorë Sarandë, ne kemi vendosur përmes kësaj strategjie t’i kthejmë në porte turistike me ndikim në zhvillimin ekonomik  përmes turizmit dhe nga ana tjetër të ndërtojmë portet tregtare në zona industriale pa ndikuar në qytete.

Kështu, vijoi ministrja, është rasti i portit të Durrësit.

“Ne kemi bërë projektin për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit, pasi porti është ndërtuar në dalje të qytetit por me zhvillimet aktuale ky port ndodhet në zemër të qytetit, një port që është ndërtuar 100 vjet më parë për operacione që nuk janë parashikuar të përballojnë fluksin e sotëm”, theksoi Balluku.

Ajo shtoi se, ndotja ambientale nga mallrat, problematika e trafikut, zhurma akustike dhe përballimi i kapaciteteve në rritje përpunuese, janë arsyet për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano.

“Plani i Shqipërisë është që porti i Durrësit si porti kryesor i vendit ku kryhet 98% e aksioneve detare të përballojë kapacitet për disa dekada në vijim, pasi Shqipëria synon të kthehet në një qendër rajonale përsa i takon transportit detar”, theksoi Balluku.

Balluku informoi se, përmes një gare kombëtare kemi vendosur që të rinisim një projekt ambicioz për ndërtimin e Portit të Durrësit, duke krijuar mundësinë që në zonën e portit aktual të zhvillohet një projekt i veçantë me investim 2 miliardë euro.

Ajo tha se legjislacioni parashikon një garë të hapur për çdo investitor strategjik, duke pasur një garë të hapur permanente për investime strategjike në vendin tonë.

“Në këtë kuadër rezulton se në Shqipëri nuk ka pasur deri më tani asnjë investitor interes që të zhvilloj projekte me vlerë më të madhe se projekti në fjalë me vlerë 2 miliard euro investimi ndaj dhe i është dhënë prioritet këtij investitori”, tha ministrja, megjithatë vuri në dukje ajo, kryerja e punimeve në këtë projekt, do të bëhet nëpërmjet garave me konkurrencë dhe transparencë ku do të ftohen investitorë vendas dhe të huaj.

Balluku solli në vëmendje se ndër vite, pranë AIDA-s kanë aplikuar 68 investitorë për marrjen e statusit strategjik nga të cilit 17 janë të huaj dhe të tjerët shqiptarë.

“Rezulton se projekti i Marinës së Durrësit është më i madhi edhe se projekti TAP apo kaskada e Devollit. Marina e Portit të Durrësit mbetet investimi me vlerën më të lartë në shtetit shqiptar”, përfundoi ministrja.

 

Fraksion.com