“At Nikolla Marku i tregon sekretet Blushit: Janullatos më ka kërcënuar, jam djali i padeklaruar i…”
Prej ditës së sotme në stendat e Panairit të Librit është edhe libri “41 sekretet” i shkrimtarit e publicistit Ben Blushi.
Balkanweb ka mësuar se pjesë e bisedave të shkrimtarit është edhe një rrëfim i At Nikolla Markut, prift ortodoks në dioqezën e Shën Mërisë.
At Nikolla i ka rrëfyer Blushit se Kryepeshkopi Anastas Janullatos e ka kërcënuar se do ta vrasë.
Publikisht At Nikolla e ka akuzuar Kryepeshkopin për “shkelje të statusit kishtar në favor të shovinizmit grek”, por edhe për “ndërtimet e restaurimet e kishave në stilin grek”.
Ndërkohë që sekreti i dytë që ai i ka besuar Blushit ka të bëjë me jetën e tij private kur i ka thënë se është djali i padeklaruar i kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kristofor Kisi.
Një ditë më parë Balkanëeb publikoi një histori të rrëfyer nga Blushi gjatë kohës që ai ishte në klasën e tretë.
Ka qenë viti 1977 kur Ben Blushi dhe analisti Andi Bushati, të dy shokë të klasës së tretë vodhën numëratorin telefonik të Komitetit Qendror të Partisë.
Pjesë e këtij numëratori ishte edhe numri sekret i Enver Hoxhës, i cili ishte në dorën e shumë pak personave.
Blushi tregon në librin e tij “41 sekretet” se së bashku me Bushatin e shpërndanë numrin e diktatorit në klasë dhe për disa ditë nxënësit që kishin telefon në shtëpi, i binin numrit e nëse dikush përgjigjej nga ana tjetër, ata e mbyllnin receptorin.
Vjedhja e numrit sekret të Hoxhës vuri në lëvizje të gjitha institucionet që garantonin sigurinë e tij deri sa u siguruan se kjo ishte vetëm një lojë kalamajsh të klasës së tretë e jo një kërcënim për jetën e diktatorit.
Në librin e tij Blushi rrëfen gjithashtu biseda të pa publikuara më parë me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, aktorin Robert Ndrenika dhe botuesin Nikollë Lesi.
Fraksion.com