AktualitetPolitikëTë fundit

“Pas një këngëtari, ja edhe një poete’, Rama: Denoncimet për ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi flenë në Prokurorinë e Tiranës

Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me dënimin nga gjykata me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës të poetes Mimoza Ahmeti për ndërtim të paligjshëm.

Në një postim në rrjetet sociale Rama thekson se “pas një këngëtari, ja edhe një poete që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës”.

Kreu i qeverisë shprehet se “në Prokurorinë e Tiranës, dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara”.

“Pas një këngëtari, ja edhe një poete që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara!

Patjetër që çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, po zelli milimetrik në dënimin e atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre të bën për të vjellë përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës ndaj atyre që për qëllime fitimi bëjnë shkelje kilometrike! Tamam “mbretëri xhuxhash” ai organ drejtësie me të dobëtit dhe dobësie me të fortët“, shkruan Rama në rrjetin social.

Poetja Ahmeti u dënua nga gjykata të kryejë punë me interes publik për 40 orë.

 

Fraksion.com