AktualitetBota+Të fundit

“I kontrolluan apartamentin dhe zyrën në 2021”; Prokuroria nuk do të ngrejë akuza ndaj Rudy Giulianit nga hetimet për Ukrainën

Nuk do të ngrihen akuza nga hetimi penal për marrëveshjet e biznesit në Ukrainë të Rudy Giulianit, ish-avokati personal i ish-Presidentit Donald Trump, shprehet prokuroria e Manhatanit në një dokument të dorëzuar në gjykatë të hënën.

Prokurorët federalë ka shqyrtuar veprimet e zotit Giuliani, ish-kryetar i bashkisë së Nju Jorkut, ndër të tjera edhe nëse kishte shkelur ligjet për lobizmin në Shtetet e Bashkuara duke shërbyer si një agjent i huaj i paregjistruar, ndërkohë që punonte për ish-Presidentin Donald Trump.

Agjentët federalë kontrolluan në prill 2021 apartamentin dhe zyrën e zotit Giuliani në Manhattan, duke sekuestruar celularë dhe kompjutera në kuadrin e një hetimi mbi përpjekjet e zotit Giuliani për të gjetur informacion të dëmshëm mbi kandidatin e atëhershëm demokrat për president, Joe Biden, përpara zgjedhjeve të vitit 2020.

Duke sinjalizuar se hetimi po mbyllej, agjentët e FBI-së i kthyen zotit Giuliani pajisjet elektronike të sekuestruara, tha avokati i tij në gusht. Zoti Giuliani ka mohuar të ketë bërë shkelje.

“Hetimi i jurisë së madhe që çoi në lëshimin e urdhrave të lartpërmendur ka përfunduar”, shkruajti Damian Williams, prokuror në Manhattan, në një dokument të paraqitur në gjykatë të hënën. “Bazuar në informacionet që aktualisht disponon qeveria, kallëzime penale nuk do të ketë”.

Sipas një urdhri kontrolli, hetuesit amerikanë kishin kërkuar të rishikonin komunikimet e zotit Giuliani me mbi dymbëdhjetë persona, përfshirë një prokuror të rangut të lartë në Ukrainë dhe ish-presidentin e atij vendi, Petro Poroshenko.

Ata po kërkonin gjithashtu komunikime me ndonjë zyrtar apo punonjës të qeverisë amerikane në lidhje me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Marie Yovanovitch, e cila u shkarkua nga ish-Presidenti Trump në vitin 2019 pasi u vu në qendër të kritikave nga zoti Giuliani.

Prokurori Williams i kërkoi gjithashtu gjykatësit të qarkut Paul Oetken të ndërpresë emërimin e gjyqtares federale në pension Barbara Jones si një eksperte e pavarur që do të rishikonte komunikimet e zotit Giuliani për t’u siguruar që hetuesit nuk kishin informacionin e mbrojtur nga konfidencialiteti i marrëdhënies avokat-klient.

Avokatët e zotit Giuliani nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Përpjekja e zotit Giuliani për të gjetur informacion të dëmshëm për zotin Biden u përqendrua pjesërisht tek djali i tij Hunter Biden, i cili kishte qenë anëtar i bordit të kompanisë ukrainase të gazit natyror Burisma. Ata kanë mohuar të ketë patur ndonjë shkelje.

Rudy Giuliani duke mbërritur në gjykatën në Atlanta, Xhorxhia (17 gusht 2022)
Rudy Giuliani duke mbërritur në gjykatën në Atlanta, Xhorxhia (17 gusht 2022)

Zotit Giuliani, 78 vjeç, gjithashtu përballet me një hetim penal në nivel shteti në Xhorxhia, lidhur me përpjekjet e ish-Presidentit Trump dhe aleatëve të tij për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Presidentit Biden. Zoti Giuliani në vitin 2020 u kërkoi ligjvënësve të këtij shteti të mos çertifikonin fitoren e zotit Biden në Xhorxhia. Në gusht, zoti Giuliani dëshmoi para një jurie të madhe të Qarkut Fulton pasi një gjykatës e urdhëroi atë të zbatonte fletëthirrjen për paraqitje./VOA

 

Fraksion.com