AktualitetNATO/BETë fundit

Shtabi Ushtarak i NATO-s pret kadetët ukrainas

Më 14 nëntor 2022, Divizioni i Sigurisë Bashkëpunuese i Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar (IMS) mirëpriti një grup kadetësh ukrainas në selinë e NATO-s për informime mbi bashkëpunimin ushtarak NATO-Ukrainë. Kadetët u pritën zyrtarisht nga Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer.

Duke përshëndetur kadetët, Admirali Bauer shprehu admirimin e tij për Forcat e Armatosura të Ukrainës, të cilat pandërprerë dhe me guxim kanë luftuar dhe zmbrapsur forcat pushtuese ruse. “Forca dhe qëndrueshmëria juaj kanë mahnitur botën. Ju keni ndryshuar rrënjësisht luftën moderne. Ne e shohim atë në shpejtësinë e rrufeshme dhe efektivitetin me të cilin po përdorni armë të reja. Dhe ne e shohim atë në vizionin tuaj strategjik dhe shkëlqimin praktik, taktik. Ju e tejkaloni kundërshtarin tuaj herë pas here, duke bërë përparim mbresëlënës dhe inkurajues”, theksoi ai.

Për 25 vitet e fundit, NATO ka qenë e përkushtuar ndaj partneritetit të saj me Ukrainën, duke ofruar trajnime, mbështetje për reformat e mbrojtjes dhe duke inkurajuar ndërveprimin. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, aleatët dhe partnerët e NATO-s kanë rritur mbështetjen e tyre praktike dhe dhënien e ndihmës thelbësore. “Sot, 50 Kombe po mbështesin Ukrainën me ndihmë vdekjeprurëse, jovdekjeprurëse dhe financiare. Aleatët e NATO-s po furnizojnë sisteme të avancuara, duke përfshirë artilerinë, mbrojtjen ajrore dhe automjete të blinduara; sisteme mobile të komunikimit satelitor; pajisje për t’iu kundërvënë kërcënimeve kimike dhe biologjike, si dhe karburant, veshje dimërore, pajisje mjekësore dhe trajnim paramedik. Mbështetja jonë do të mbetet e palëkundur dhe do të zgjasë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, nënvizoi Admirali Bauer.

25 kadetët ukrainas, të përzgjedhur nga të nëntë Akademitë Ushtarake të Ukrainës, u prezantuan më pas me NATO-n, strukturën e saj dhe detyrat kryesore. Ata u informuan gjithashtu mbi rolin e Divizionit të Sigurisë Bashkëpunuese IMS, si drejtues për të gjithë bashkëpunimin ushtarak brenda Partneritetit NATO-Ukrainë dhe mbi Mekanizmat dhe Mjetet e Partneritetit të NATO-s. Vizita u organizua në kuadër të “Planit të Punës së Komitetit Ushtarak me Ukrainën” dhe synon ndërgjegjësimin mbi partneritetin ushtarak-ushtarak ndërmjet NATO-s dhe Ukrainës.

Grupi më pas u drejtua në SHAPE për të marrë disa informacione plotësuese mbi bashkëpunimin ushtarak, përpara se të udhëtonte në Ardennes, ku ata analizuan angazhimet ushtarake të Luftës së Dytë Botërore për të nxjerrë mësime që mund të zbatohen sot. “Kjo është në fund të fundit arsyeja e vizitës suaj në Belgjikë – për të studiuar dhe analizuar angazhimet e kaluara, dhe për të identifikuar mësimet tuaja… që mund të zbatohen për të luftuar sot dhe që mund t’i përdorni në karrierën tuaj të ardhshme”, përfundoi Admirali Bauer.

 

Fraksion.com