AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Rezultate të mira me Ballkanin e Hapur, mbështesim Procesin e Berlinit

Në mbledhjen e përbashkët Shqipëri-Maqedoni e Veriut, Kryeministri Edi Rama vlerësoi marrëveshjet në kuadër të Ballkanit të Hapur ndërsa theksoi se të dyja vendet janë dhe do vazhdojnë të jenë mbështetës të lëkundur të Procesit të Berlinit. Kryeministri shqiptar theksoi se këto nisma janë pjesë të njëra-tjetrës.

Në 6 dhjetor, në Tiranë, do të mbahet Samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor dhe ne do të jemi aty së bashku, me të gjitha dëshirat, problemet dhe sfidat tona, të cilat janë gjithmonë e më të njëjta me ato të vendeve të tjera të Bashkimit Europian dhe është koha, besoj unë, për të projektuar të ardhmen përtej luftës, duke kërkuar nga njëra anë, së bashku të gjitha vendet tona nga Bashkimi Europian që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e organizuar për t’i rezistuar, qoftë goditjes së madhe të çmimit të energjisë elektrike, qoftë dhe inflacionit të luftës. Nga ana tjetër, për të ndërtuar një plan të përbashkët, një plan i cili të na japë mundësinë të shohim përtej kësaj faze të vështirë, të zymtë, por njëkohësisht jo të pambarimtë. Nuk kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar të ardhmen përtej saj.

Në këtë aspekt, do thoja se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë njëfarë përgatitje, duke u përpjekur të projektohen në të ardhmen jo thjesht në mënyrë individuale, si shtete më vete, por edhe në mënyrë kolektive si vende të të njëjtës zonë gjeografike dhe gjeopolitike, qoftë në aspektin e Ballkanit Perëndimor si rajoni ynë, qoftë në aspektin e Bashkimit Europian si destinacioni ynë. Besoj që Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe njëkohësisht për të projektuar një të ardhme e cila të rrisë në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe se hapësira jonë e përveçme gjeografike. Kemi parë rezultate të mira të marrëveshjeve të bëra në kuadër të Ballkanit të Hapur ashtu sikundër kemi vazhduar të jemi dhe do të vazhdojmë të jemi mbështetës të palëkundur edhe të Procesit të Berlinit, duke pasur aftësinë t’i shikojmë të dyja bashkë këto nisma si pjesë të njëra-tjetrës dhe në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra-tjetrës.

Nuk dua të zgjatem me marrëveshjet për të cilat foli kryeministri dhe për të cilat do të kemi gjithë kohën të diskutojmë më tutje dhe pastaj t’i bëjmë me dije për publikun kur t’i firmosim, por dua të theksoj edhe njëherë tjetër se është koha që të projektohemi me shumë më tepër forcë dhe me shumë më tepër ambicie në të ardhmen e përtej luftës dhe ndërkohë të marrim maksimumin sot nga këmbëngulja dhe aftësia për të krijuar një sinergji më të plotë me Bashkimin Europian”.

 

Fraksion.com