AktualitetNATO/BETë fundit

NATO forcon dialogun politik me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë, Havier Colomina përfundoi një udhëtim në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë. Në Serbi, ai u takua me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes Millosh Vuçeviç. Në Bosnje dhe Hercegovinë ai zhvilloi bisedime me kryetarin e Presidencës Sefik Xhaferovic, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme Josip Brkic dhe ndihmës ministrin për bashkëpunim ndërkombëtar në Ministrinë e Mbrojtjes Zoran Shainoviq.

Në Serbi, z. Colomina theksoi shtrirjen e partneritetit afatgjatë dhe reciprokisht të dobishëm NATO-Serbi dhe zhvillimin e tij në fusha të ndryshme të bashkëpunimit, në respekt të plotë të politikës së deklaruar të Serbisë për neutralitet ushtarak. Në dritën e situatës aktuale në veri të Kosovës, ai theksoi rolin e vazhdueshëm stabilizues që luan misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dhe i mandatuar nga OKB-ja, i cili garanton një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i gjithashtu ofron kornizën e sigurisë në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Z. Colomina nënvizoi përkushtimin e NATO-s për stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe rëndësinë e saj strategjike për Aleancën, siç është bërë e qartë në Konceptin e ri Strategjik të NATO-s.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, Z. Colomina përshëndeti miratimin e Programeve të Reformës 2021 dhe 2022 nga Këshilli i Ministrave të vendit, me synimin për të forcuar bashkëpunimin e tij me Aleancën. Ai përshëndeti gjithashtu zgjatjen e fundit të mandatit të EUFOR Althea dhe përsëriti se NATO vazhdon të mbështesë operacionin e udhëhequr nga BE, sipas marrëveshjeve të Berlin Plus. Ai vuri në dukje angazhimin e vendosur të NATO-s për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe strukturat e saj shtetërore, të cilat mbeten kyçe për sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në të gjithë rajonin. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për çuarjen e reformave përpara, për të mirën e të gjithë njerëzve të Bosnjë-Hercegovinës. Diskutimet prekën gjithashtu konsultimet midis NATO-s dhe Bosnje-Hercegovinës për finalizimin e një pakete mbështetjeje të zgjeruar që synon rritjen e qëndrueshmërisë së Bosnjë-Hercegovinës dhe modernizimin e strukturave të saj të mbrojtjes dhe sigurisë. Z. Colomina u takua edhe me zëvendësin kryesor të Përfaqësuesit të Lartë, Jonathan Mennuti, duke përsëritur mbështetjen e vendosur të NATO-s për përpjekjet e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Sarajevë.

 

Fraksion.com