“Mbështesni shqiptarët në betejën e tyre”, Berisha: Edi Rama kërkon asgjësimin e pluralizmit dhe të marrë flamurin e PD-së
Kreu i PD-së Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për mediat ku deklaroi se Edi Rama kërkon asgjësimin e pluralizmit, kërkon të marrë flamurin e PD-së dhe t’ia u varë në qafë vasalëve të tij vetëm për t’u hakmarrë.
Duke e cilësuar diktator, Berisha e krahasoi kryeministrin shqiptar me Presidentin afrikan Idi Amin, oficerin ushtarak të Ugandës që ishte dhe Presidenti i tretë i këtij vendi, i cili qeverisi si një diktator ushtarak dhe konsiderohet si një nga despotët më brutalë të historinë moderne botërore.
Berisha theksoi se shumë shpejt do të informojnë dhe për axhendën e protestave të tjera.
“Edi Rama është armik i betuar i parlamentarizmit. Unë u them shqiptarëve sot se nuk ka kryeministër në planet, as dhe Idi Amin që rrihte ministrat e kabinetit në mbledhje qeverie, diktator që mund të përdorë një fjalor të tillë në parlament kundër opozitës siç përdor Edi Rama, duke poshtëruar në këtë vend me fjalorin e tij të madh e të vogël, të rinj dhe të moshuar, opozitar dhe socialist, çdo njeri të qytetëruar. Së fundmi Edi Rama kërkon asgjësimin e pluralizmit, kërkon të marrë flamurin e PD-së dhe t’ia u varë në qafë vasalëve të tij, me qëllimin e vetëm të hakmerret si bir xhelati dhe nip xhelati që është për përmbysjen që kjo parti u bëri etërve të tij. Shqiptarët janë sot më në këmbë se kurrë.
Protesta e 12 nëntorit faktoi se shqiptarët janë më në këmbë se kurrë.
Ju njoftoj se shumë shpejt do të njiheni me axhendën e protestave të tjera të fuqishme. Protestat do të jenë dhe do të mbeten mjeti kryesor, krahas primareve në betejën kundër këtij regjimi, kundër këtij njeriu. Dhe njëherë thirrja ime për miqtë dhe partnerët mbështesni shqiptarët në betejën e tyre, ne do fitojmë”, deklaroi Berisha.
Fraksion.com