Krifca: Mbi 400 milionë lekë investime e subvencion për sektorin e peshkimit
Politikat e qeverisë, inkurajojnë sipërmarrjen vendase dhe të huaj të investojë në peshkim.
Frida Krifca, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha për ATSH-në, se “transformimi epokal i qasjes ndaj ekonomisë së detit dhe investimet në krijimin e një hapësire krejt të re për rritjen e punësimit, eksporteve, janë vijueshmëri e mbështetjes së buxhetit 2023 për sektorin e peshkimit”.
Sipas saj, në programin “Mbështetje për Peshkimin” kemi në fokus zhvillimin e qëndrueshëm të peshkimit dhe akuakulturës dhe shfrytëzimin e përgjegjshëm të burimeve peshkore.
“Do të financojmë kështu politikat e sektorit me një buxhet prej 403 milionë lekë. Në vitin 2023 është parashikuar fillimi i projektit “Mbështetje për zhvillimin e tregjeve dhe prodhimtarisë detare (Ekonomia Blu)”, u shpreh Krifca për ATSH.
Ministrja deklaroi se, buxheti i planifikuar do të sigurojë: Shtim të kapacitetit ankorues në Portin e Durrësi, do të lehtësojë procedurat e zbarkimit të produkteve peshkore të anijeve të peshkimit.
Gjithashtu, ndërtimi i tregjeve të reja për produktet peshkore, do të rrisin sasinë, cilësinë, sigurinë dhe gjurmueshmërinë e këtyre produkteve duke i bërë ato më atraktive si në tregun e brendshëm ashtu dhe për tregjet ndërkombëtare.
Krifca tha për ATSH se, “investimet në programin e peshkimit synojnë rritjen e prodhimit të produkteve peshkore me 10-20% dhe eksportet në masën 60-70%”, teksa vuri në dukje se, përditësimi të softwear-it të Regjistrit të Anijeve të Peshkimit, sipas standardeve të Bashkimit Europian, rrit sigurinë në peshkim.
“Reformat, mbështetja me politika fiskale dhe financime kanë bërë që sot, ekonomia shqiptare të shohë një ndryshim të madh në industrinë e peshkimit. Aktualisht jemi në shifrën e 130 milionë euro eksporte në industrinë e peshkimit, por ambicia është të arrihet tavani prej mbi 200 milionë euro”, u shpreh ministrja./ATSH
Fraksion.com