AktualitetBota+Të fundit

Shpërthim i fuqishëm në Stamboll, 6 viktima dhe 81 të plagosur, Erdogan: Dyshohet sulm terrorist, protagoniste ishte një grua

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një rrugë këmbësorësh në sheshin Taksim në Stamboll, ku nga autoritetet janë konfirmuar 6 viktima e 81 të tjerë janë plagosur. Shpërthimi ndodhi në  një prej rrugëve më një njohura tregtare e ku ka gjithmonë fluks të shtuar lëvizjesh, ndërsa ndodhet afër disa atraksioneve turistike.

Në pamjet e publikuara pas shpërthimit duken njerëz të frikësuar që ikin nga vendi i ngjarjes me vrap, ndërsa shumë të tjerë ishin shtrirë në tokë pasi ishin plagosur. Përmes Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Stamboll bëhet e ditur se deri nuk ka raportime për shqiptarë të lënduar.

Presidenti turk Recep Taip Erdogan tha në një konferencë për mediat para nisjes për në Indonezi se një grua ka pasur rol në sulmin që ndodhi në zemër të Stambollit, duke thënë se mund të jetë akt terrorist ndërsa theksoi se autorët, ende të paidentifikuar, do të dënohen. Ai e quajti sulmin të poshtër, duke nënvizuar se era e terrorit u ndje në Stamboll. Edhe zv.presidenti turk Fuat Oktay tha se sulmi terrorist në Stamboll kishte protagoniste një grua.

Ndërkohë kryeprokuroria publike e Stambollit njoftoi se ka nisur hetimi për shpërthimin nga një grup prej 5 prokurorësh. Sulmi në rrugën e njohur tregtare ka shokuar banorët e Stambollit, e vecanësisht ata që ndodheshin aty pranë. Rruga ku ndodhi shpërthimi, ka qenë edhe një herë tjetër objekt i një sulmi kamikaz në 2016. Për sulmin reagoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar duke i quajtur tronditëse pamjet pas shpërthimit në Stamboll.

“Mendimet e mia dhe ngushëllimet më të thella shkojnë për të gjithë ata që janë prekur dhe për popullin turk. NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë Turqinë”, shkruan Stoltenberg në Twitter.

Sulmi në stamboll u dënua edhe nga Presidenti Bajram Begaj, kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla dhe Ministrja për evropën e punët e jashtme Olta Xhaçka. Qyteti ka qenë në shënjestër të sulmeve të ISIS në të kaluarën. Në vitin 2017, 39 persona u vranë pasi persona të armatosur hapën zjarr në një klub nate në lagjen Ortakoy. Militantët e ISIS sulmuan gjithashtu aeroportin e Stambollit në vitin 2016, duke vrarë 41 persona.

https://youtu.be/YnaVBG0zuNU

 

Fraksion.com