AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Zgjerim i rrugës që lidh aeroportin e Vlorës me autostradën Fier-Vlorë

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot ecurinë e punimeve për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrugës që lidh aeroportin e Vlorës me autostradën Fier-Vlorë.

Balluku theksoi se projektet tashmë janë të studiuara për të mos pasur problematika si në të shkuarën kur bëhej fillimisht rruga dhe pastaj çahej për të bërë kanalizimet.

“Dikur projektet e infrastrukturës shkelnin çdo afat kohor. Ne kemi krijuar një trend të ri që projektet e infrastrukturës i dorëzojmë para afatit. Këtë duam edhe me këtë projekt”, tha ajo.

Po ashtu, Balluku theksoi faktin se pavarësisht debatit politik që shkaktojnë projektet në infrastrukturë, ka qenë e jashtëzakonshme mbështetja që qytetarët e Vlorës i japin çdo projekti. “Qytetarët vetë i dalin në mbrojtje projektit”, tha ajo.

Po ashtu, Balluku tha se impakti i të gjitha investimeve në Vlorë nuk është vetëm në nivel qarku, por ka ndikim në gjithë vendin.

“Aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti më i madh në Ballkan dhe i jep Ballkanit një mundësi të re për të aksesuar. Jo vetëm që do të ndikojë ekonominë shqiptare dhe turizmin shqiptar, por edhe atë rajonal”, tha ajo.

E njëjta gjë, sipas Ballukut, është edhe me tunelin e Llogorasë.

“Tuneli i Llogorasë do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm jo vetëm për qarkun e Vlorës por do të sjellë mentalitetin tjetër se si mund të zhvillohet infrastruktura. Tuneli do të jetë me pagesë dhe qytetarët do të zgjedhin nëse duan akses më të shpejtë me pagesë, apo duan të ndjekin rrugën tradicionale”, tha Balluku.

Ajo theksoi se zhvillimet në Vlorë kanë ndikim edhe në zhvillimin e infrastrukturës së rajonit.

“Transformimi i Triportit nga një port ku nuk merrje vesh çfarë ishte, me disa anije të mbytura  që pengonin hyrjen në të, sot kemi nisur dhe një pjesë e mirë e punimeve janë kryer për të realizuar portin komercial dhe portin e peshkatarëve. Zona e Triportit, si zonë industriale do të zhvillohet në të gjitha dimensionet e saj”, siguroi Balluku.

Ndërsa drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Vlorës, Blendi Klosi u shpreh se këto investime që ne po realizojmë në qark i shërbejnë zhvillimit të gjithë rajonit të jugut.

“Aeroporti do të sjellë një zhvillim të madh. Qytetarët të parët e kanë kuptuar vlerën që kanë investimet publike. Tani kemi rritje me disafish të vlerës së pasurive të paluajtshme për shkak të këtyre investimeve”, tha ai.

 

Fraksion.com