“Pse ikin shqiptarët?”, Meta: Miliardat e buxhetit grabiten me koncesione, PPP e tendera sekretë dhe asnjë lek nuk shkon për qytetarë
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fjalën e tij nga protesta është ndalur edhe në krizën ekonomike. Meta tha se çmimet në vendet e rajonit janë shumë herë më lirë se në vendin tonë, ndërsa pagat më të larta. Meta thotë se miliona euro të ardhura që vijnë nga rritja e çmimeve grabiten nga koncensionet. Sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk po i mbështet shqiptarët në këtë kohë krize, por po e çon vendin drejt greminës financiare
“Përse ikën një qytetar nga Serbia për 1 mijë banorë, ndërsa ikin 12 nga Shqipëria, sepse në Shqipëri një km rrugë e re kushton 6 herë më shtrenjtë se në Serbi, dhe 8-10 herë më shtrenjtë se në BE. Përse çmimi i naftës në Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë është shumë më i ulët se në Shqipëri, e cila prodhon naftë? Përse vaji, mielli, buka, ushqimet bazë të mbijetesës janë shumë më të lira në Maqedoni e Kosovë se sa në Shqipëri? Përse qytetarët e Peshkopisë, e Maqellarës, apo të Pogradecit i blejnë ushqimet në Maqedoninë e Veriut, ku janë shumë më lirë edhe pse pagat atje janë shumë më të larta se sa këtu. Sepse miliardat e buxhetit grabiten me koncesione, PPP e tendera sekrete me dhjetëfishin e çmimit dhe asnjë lek nuk shkon për qytetarët.
Sepse qindra milionë euro të ardhura që vijnë nga rritjet e çmimeve, gllabërohen nga PPP pa fund dhe asnjë lek ndihmë nuk u jepet qytetarëve. Mbi shpatullat e qytetarëve bie pesha e borxhit shumë të rëndë publik që ka arritur gati 14 miliardë Euro, që po e çon vendin drejt greminës financiare. Në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 62.4%, ndërsa sot, është 107%. Nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, në Shqipëri nevojiten 13 vite eksporte, sepse ky merr borxhe për të shlyer borxhe, që ky të fluturojë në luks dhe shqiptarët të zhyten në mjerim. Qeveria e kapur për gryke nga oligarkët dhe mafia po bën gjithçka që të asgjësojë prodhimin vendas me taksa të reja dhe akciza të jashtëzakonshme dhe po godet pa mëshirë shtresën e mesme, që ti dobësojë e ti detyrojë të largohen nga vendi”, tha Meta.
Fraksion.com