AktualitetTë fundit

Sera me kanabis në Berat, deri më tani peshohet rreth 700 kg. Në polici 95 gra dhe 10 burra

700 kilogramë rezulton të jetë deri më tani droga e kapur këtë të enjte në fshatin Drenovicë të Beratit. Burime bëjnë të ditur se ajo mund të jetë mbi 1 ton. Autoritetet aktualisht vijojnë peshimin e lëndës narkotike.

Numri i të arrestuarve është 105, prej të cilëve 95 janë gra ndërsa 10 të tjerët burra. Ata janë nga veriu i Shqipërisë, nga Shkodra, Lezha, Burreli, Mati etj.

Aktiviteti kriminal dyshohet se kryhej prej 3 javësh. Punëtorët silleshin me furgona dhe më pas largoheshin përsëri. Aktualisht, të ndaluarit ndodhen në ambientet e policisë së Beratit, ku po merren në pyetje.

Autoritetet zbuluan paraditen e kësaj të enjteje disa sera ku kultivohej dhe përpunohej kanabis. Policia ndërhyri pasi kishte marrë informacione se serat me sipërfaqe prej 2 hektarësh përdoreshin nga trafikantët.

Ato ishin në pronësi të 40-vjeçarit Hamit Dyli, i cili u shoqërua dhe pritet që të përballet me akuza të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike.

 

Fraksion.com