Garë e ngushtë për kontrollin e Kongresit amerikan
Pas zgjedhjeve të së martës në Shtetet e Bashkuara ende nuk dihet se kush do të ketë kontrollin e Kongresit amerikan, duke lënë të paqartë nëse republikanët do të marrin kontrollin nga demokratët e presidentit Joe Biden.
Kongresi amerikan përbëhet nga dy institucione: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati amerikan. Sipas Associated Press, në Dhomën e Përfaqësuesve më së shumti ulëse kanë fituar republikanët, gjithsej 190, kundrejt demokratëve që kanë marrë 154.
Por, gara për Senatin amerikan është më e ashpër, pasi ajo mbetet ende e hapur në disa shtete kyçe.
Demokrati John Fetterman ka shpallur fitoren në Pensilvani dhe nëse ai shpallet fitues në këtë shtet do të ishte një fitore e rëndësishme për demokratët në Senat. Sipas AP-së, me fitoren e Fettermanit, demokratët deri më tani kanë fituar 48 ulëse në Senat, kundrejt republikanëve që kanë një ulëse më pak.
Ndërkaq, sa i përket ulëseve në senat, garat në Arizona, Xhorxhia dhe Nevada po konsiderohen se ende janë të hapura.
Gara në Xhorxhia mund të shkojë në balotazh, që do të mbahej më 6 dhjetor, dhe ky shtet mund të jetë kyç për të përcaktuar balancën në Senat.
Sondazhet kanë treguar para zgjedhjeve se ka pasur një rënie të vlerësimit për punën e Bidenit dhe votuesit kanë qenë të zemëruar për shkak të nivelit të inflacionit.
Megjithatë, republikanët, sikurse senatori Lindsey Graham, presin që të fitojnë shumicën në Senat.
“Mendoj se kur do të përfundojë gara ne do të kemi 51 apo 52 ulëse”, tha ai.
Megjithatë, nëse dy partitë, ajo demokrate dhe republikane do të kenë numrin e njëjtë të ulëseve në Senat, atëherë demokratët do të marrin shumicën, për shkak të ulëses së nënpresidentes amerikane, Kamala Harris.
Edhe me një shumicë të ngushtë të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, do t’iu mundësonte atyre të bllokonin prioritetet e Bidenit.
Mbi 46 milionë amerikanë kanë votuar para ditës së zgjedhjeve, qoftë përmes postës, apo votimit në qendra të votimit. Por, zyrtarët shtetërorë zgjedhorë kanë paralajmëruar se numërimi i këtyre votave do të marrë kohë.
Inflacioni i lartë dhe të drejtat e abortit ishin ndër shqetësimet kryesore të votuesve, dhe sipas sondazheve, një në tre votues ka zgjedhur njërën prej këtyre dy temave si shqetësime kryesore. Krimi, që ka qenë në fokusin e republikanëve gjatë javëve të fundit të fushatës, po ashtu ka qenë një prej çështjeve kryesore të përmendura nga një në dhjetë votues.
Në SHBA, inflacioni vjetor është 8.2 për qind, që është niveli më i lartë i shënuar në 40 vjet. Këto shifra kanë paraqitur pengesë për demokratët gjatë fushatës së tyre.
Një sondazh i realizuar nga Reuters/Ipsos gjatë kësaj jave gjeti se 39 për qind e amerikanëve pajtoheshin me mënyrën se si ka punuar Biden.
Ndërkaq, sipas po të njëjtit sondazh, ish-presidenti amerikan Donald Trump, ka një përqindje pothuajse të njëjtë, ku 41 për qind e respondentëve e panë atë si favorit.
Në Kongres, nëse republikanët kontrollojnë Dhomën, kjo do të paraqiste kërcënim për prioritetet e demokratëve sikurse të drejtat e abortit dhe ndryshimet klimatike, ndërkaq në Senat, republikanët do të mund të bllokonin nominimet e Bidenit në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe çdo emërim të ri në Gjykatën Supreme.
Ndërkaq, sa i përketndihmës për Ukrainën që po përballet me pushtimin rus, analistët kanë argumentuar se nëse republikanët marrin pushtetin në Kongres, ka pak gjasa që të ngadalësojnë furnizimet me armë dhe ndihmën ekonomike për Kievin.
Fraksion.com