Ambasadori Delawie: Shtyrja e çështjes së targave nuk ka kuptim pa marrëveshje
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, beson se thelbi i tensionit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë targat, por, siç tha ai, refuzimi i autoriteteve serbe për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, pothuajse 25 vjet pas luftës. Zoti Delawie i bëri këto komente për korrespondentin e Shërbimit Serb të Zërit të Amerikës Milan Nesic.
Zëri i Amerikës: Cili është komenti juaj për zhvillimet gjatë ditëve të fundit në lidhje mes Serbinë dhe Kosovën?
Greg Delawie: Mosmarrëveshja në të vërtetë nuk ka të bëjë me targat, por me refuzimin e qeverisë serbe për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, rreth 25 vjet pas luftës së suksesshme të Kosovës për pavarësi.
Zëri i Amerikës: A mendoni se protesta e minoritetit serb është e arsyeshme?
Greg Delawie: Do të ishte në interesin e serbëve të Kosovës që zyrtarët e tyre të vazhdonin të merrnin pjesë në institucionet qeveritare të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Si e shihni vendimin e serbëve për të pezulluar pjesëmarrjen në qeverinë dhe institucionet e Kosovës?
Greg Delawie: Zyrtarët e minoritetit serb janë nën trysninë e qeverisë serbe, e cila kontrollon pjesëmarrjen ose mungesën e tyre në institucionet e Kosovës, për të nxitur reagimin negativ të qeverisë së Kosovës.
Zëri i Amerikës: Si e keni parë iniciativën për shtyrjen e vendimit për targat me dhjetë muaj dhe reagimin e qeverisë së Kosovës për të mos e pranuar atë?
Greg Delawie: Një shtyrje do të kishte më shumë kuptim nëse do të ishte pjesë e një marrëveshjeje që të dyja palët të binin dakord ta zbatonin.
Zëri i Amerikës: A keni njohuri për propozimin franko-gjerman për dialogun dhe si mund të kontribuojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes?
Greg Delawie: Jo, nuk kam njohuri. Megjithatë, kam besim si në aftësinë ashtu edhe në motivimin e qeverive franceze dhe gjermane për të hartuar një iniciativë të re për të zgjidhur një nga pengesat më të rëndësishme që qëndron në rrugën e paqes së vërtetë në Evropën Juglindore.
Zëri i Amerikës: Çfarë pasojash do të krijonin tensionet e reja ndaj dialogut?
Greg Delawie: Tensioni nuk kontribuon në përparimin e dialogut. Pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia e ka rritur nivelin e tensionit në të gjithë Evropën. Është detyrë e qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të punojnë drejt uljes dhe jo rritjes së tensioneve. Popujt e Ballkanit Perëndimor në Kosovë dhe Serbi meritojnë një të ardhme evropiane. Ata mund të kenë një të tillë vetëm nëse udhëheqja e të dyja vendeve vendos paqen dhe zhvillimin politik dhe ekonomik si qëllim të tyre./voa
Fraksion.com