Zëdhënësi i DASH: Situata në veri të Kosovës mund të përshkallëzohet
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të implementojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar në dialogun e Bruksel.
“Ne po u bëjmë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë detyrimet që kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar Price gjatë një konferencë për media.
Zëdhënësi i DASH-it tha se tërheqja e përfaqësuesve të komunitetit serb nga të gjitha institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje dhe se ka potencial për eskalim.
“Largimi i serbëve të Kosovës nga institucionet nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për eskalim të mëtutjeshëm të tensioneve në terren. Të gjitha palët duhet të bëjnë hapa për të zvogëluar tensionet dhe të sigurojnë paqe dhe stabilitet”, u shpreh ai.
Sipas Price-it retorika çfarë po mbretëron aktualisht në raport me veriun e Kosovës vë në rrezik jetët e qytetarëve.
“Aksionet dhe retorika që rritë mundësinë e dhunës vë jetë të pafajshme dhe të forcave ndërkombëtare paqeruajtëse që janë në terren në një rrezik të panevojshëm… Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, u shpreh ai.
Fraksion.com