AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Kamza, e transformuar viteve të fundit nga duar të përgjegjshme

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinjtë e Kamzës, në parkun e ri të liqenit të Paskuqanit, i cili po kthehet nga një vend ferrash e plehrash në një mushkëri të gjelbër.

Kryeministri vlerësoi përkushtimin shembullor në çdo drejtim të kryetarit të bashkisë Kamzë, Rakip Suli, ndërsa ndau me të rinjtë e zonës mendime mbi sfidat e kësaj kohe plot vështirësi, po dhe plot mundësi.

Rama vlerësoi realitetin e transformuar plotësisht në Kamzë.

“Më kujtohet kur isha kryetar i bashkisë së Tiranës. Jam përpjekur shumë të bëj këtë gjë që ndodh sot, por ishte e pamundur. Ky është rasti, shembulli, me pamje. Por ju keni çdo mëngjes rastin dhe shembullin me pamje kur shkoni në shkollat e reja tërësisht në Kamzë, një shkollë spektakolare për të kuptuar se sa gabim është të mendosh që vota nuk ka asnjë vlerë. Sa gabim është të mendosh se nuk ka asnjë rëndësi nëse voton apo nuk voton, apo për kë voton dhe sa gabim është të mendosh se të gjithë janë njësoj”, tha Rama.

Kryeministri tha se nëse do të ishin të gjithë njësoj edhe pamja tani do të ishte njësoj, një fushë pa ujë, me plehra, ferra e kërpudha të vendosura tek-tuk nga papërgjegjshmëria e atyre që kanë vendimmarrjen.

“Me ndërtesa që nuk duhet të ishin atje si plot ndërtesa që nuk duhet të ishin në lumë për t’u përmbytur pastaj nga lumi. Jo vetëm që të gjithë nuk janë njësoj, por ka shumë rëndësi pozicionimi i çdo qytetari në një sistem demokratik. Qytetar i mirë nuk është thjesht një njeri i mirë. Një qytetar i mirë është dikush që përveç punëve të veta sheh edhe punët e përbashkëta”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se sot Kamza është një nga zonat me transformimin më të madh të viteve të fundit dhe kjo falë faktit që nga duar të papërgjegjshme ka kaluar në duar të përgjegjshme.

“Nga një depozitë votash thjesht me zemër por pa sy, pa veshë tani ka kaluar në një zonë ku respektohet secili dhe ku pavarësisht për kë voton fëmijët e tu shkojnë në shkolla shumë të mira, në kopshte e çerdhe që nuk mund të imagjinoheshin, një prej të cilëve ka fituar çmim ndërkombëtar arkitekture. Kamza ka tashmë rrugë, kanalizime, ujësjellës dhe një mjedis shumë më human nga pikëpamja sociale se mjedisi i tmerrshëm i xhunglës ku brenda shtëpisë njerëzit bënin çfarë mundeshin ndërsa jashtë ishte një kaos”, tha Rama.

 

Fraksion.com