Jep dorëheqje anëtari serb i bordit të RTK-së
Anëtari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteti serb, Ivan Radulovic, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.
“Po, anëtari i bordit të RTK-së, z. Ivan Radulovic, dje më ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të bordit, siç ka thënë ai për arsye personale” – tha Boletini për kallxo.
Dorëheqja e Radulovic ka ardhur në kohën kur janë dorëhequr edhe prokurorë, gjyqtarë, policë, ministra, deputetë e asamblistë serbë nga institucionet e Kosovës. Këto dorëheqje kanë ardhur pas suspendimit të Nenad Gjuriqit, nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, pasi i njëjti ka refuzuar dhe ka rezistuar për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e automjeteve me targa ilegale
Radulovic është parë në protesta që janë mbajtur në veri të Kosovës. Të njëjtit i janë kërkuar sqarime nga kryetari i bordit të RTK-së se në çfarë cilësie ai ka marrë pjesë në ato protesta.
“Pasi që z. Radulovic është parë në protesta që janë mbajtur në veri të vendit, i kam kërkuar sqarime se në çfarë cilësie ka marrë pjesë, duke pasur për bazë ruajtjen e neutralitetit të anëtarëve të bordit karshi zhvillimeve të ndryshme në vend. Lidhur me këtë, z. Radulovic ka sqaruar përmes një përgjigje me shkrim se është fotograf i pavarur dhe se nuk ka asnjë kontratë pune me asnjë medium”- tha Boletini
Boletini ka thënë se Radulovic nuk ka deklaruar asnjë funksion tjetër përveç bordit apo ndonjë punë tjetër as në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Fotografi të Radulovic janë publikuar nëpër artikujt e Agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”.
Radulovic ishte emëruar në bordin e RTK-së më 21 korrik të vitit 2021.
Fraksion.com