AktualitetBota+Të fundit

Bisedimet me Kremlinin, “në interes” të SHBA-së

Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, e ka konfirmuar se linjat e komunikimit mes SHBA-së dhe Rusisë mbeten të hapura, përkundër luftës në Ukrainë, raporton BBC.

Sullivan tha, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork të hënën, se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakt me Kremlinin.

Komentet e Sullivan vijnë pas një lajmi nga gazeta amerikane The Wall Street Journal më 6 nëntor, ku thuhej se ai kishte zhvilluar bisedime, që nuk u bënë publike, me zyrtarë të lartë rusë me shpresën se do të ndikojë në uljen e rreziqeve të përshkallëzimit të pushtimit rus të Ukrainës në një konflikt nuklear.

Paraprakisht, The Washington Post kishte raportuar se Uashingtoni po e inkurajonte privatisht Ukrainën të sinjalizonte se është e hapur ndaj negociatave me Rusinë, pasi që Departamenti i Shtetit thoshte se Moska po e përshkallëzonte luftën dhe nuk dëshironte me të vërtetë të përfshihej në bisedime për paqe.

The Washington Post, duke cituar burime anonime, raportonte se kërkesa e zyrtarëve amerikane nuk kishte qëllim ta shtynte Ukrainën drejt tavolinës së negociatave, por ishte një tentim i kalkuluar për t’u siguruar që Kievi ta ketë edhe më tutje mbështetjen e vendeve të tjera.

Sullivan tha, gjatë një eventi publik në Nju Jork, se administrata e Bidenit e ka “obligim të kërkojë llogaridhënie” dhe premtoi se do të punojë me partnerë ndërkombëtarë për t’i “vënë para përgjegjësisë autorët e krimeve të rënda dhe groteske të luftës në Ukrainë për atë që kanë bërë”, raporton BBC.

Sullivan udhëtoi në Kiev më 4 nëntor dhe e premtoi mbështetjen e palëkundshme të Uashingtonit për Ukrainën.

Vizita e palajmëruar e tij përkoi me lajmin e po asaj dite nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së për një tjetër furnizim me armë për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh.

“Unë isha në Kiev të premten dhe e pata mundësinë t’i takoja presidentin [Volodymyr] Zelensky dhe kolegun tim Andriy Yermak, së bashku me udhëheqësit ushtarak, dhe u njoftova për nivelin e vdekjeve dhe shkatërrimit që ka shpërthyer nga lufta e Putinit në atë vend”, është cituar të ketë Sullivan nga BBC, më 7 nëntor.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, nuk pranoi t’i komentonte këto raportime të mediave amerikane.

“I kam parë ato lajme. Kështu që, ju e dini… dhe shikoni, njerëzit pretendojnë shumë gjëra për bisedat që ne… që SHBA-ja i bën ose nuk i bën”, tha Jean-Pierre gjatë një konference më 7 nëntor. “Unë nuk kam asnjë bisedë specifike për t’ua lexuar juve”.

Zelensky e nënshkroi një dekret më 4 tetor duke i deklaruar formalisht “të pamundura” negociatat me presidentin rus, Vladimir Putin, por duke e lënë derën hapur për bisedime me Rusinë.

Sipas The Wall Street Journal, Sullivan kishte zhvilluar bisedime konfidenciale gjatë muajve të fundit me këshilltarin për politikë të jashtme në Kremlin, Yury Ushakov, dhe sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Nikolai Patrushev – bisedime këto që nuk iu bënë të ditura publikut.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve më 7 nëntor se përderisa Rusia mbetet “e hapur” ndaj bisedimeve, e ka të pamundur të negociojë me Kievin shkaku i refuzimit të ukrainasve për të negociuar me Rusinë./REL

 

Fraksion.com