AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Balluku: Qeveria nuk do ta aplikojë as gjatë nëntorit fashën 800 kW

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot se qeveria nuk do ta aplikojë edhe gjatë muajit nëntor fashën e energjisë prej 800 kilovatësh.

Në një deklaratë për mediet, Balluku u shpreh se kjo për shkak se qytetarët i janë përgjigjur thirrjes së autoriteteve për kursim të energjisë.

“Qeveria shqiptare po mbron të gjithë abonentët familjarë dhe biznesin e vogël nga goditja e çmimit stratosferik të energjisë. Shifrat e kursimit të energjisë për muajin tetor janë domethënëse dhe na japin mundësinë që fashën prej 800 kilovatësh të mos e aplikojmë as për muajin nëntor, duke konsideruar gjithashtu parashikimet e motit me reshje në vijim, si edhe një rënie të caktuar në çmimin e tregut ndërkombëtar të energjisë”, tha ajo.

Sipas Ballukut, vetëm duke qenë të bashkuar me të vërtetat e kësaj situate mund dhe do të përballohet edhe kjo sfidë.

“Themelor mbetet kursimi. Të gjitha shifrat tregojnë se konsumi i energjisë është 7 % më pak”, deklaroi Balluku.

Balluku theksoi se Qeveria po shikon mundësinë e mbështetjes edhe për biznesine madh i cili tashmë ndodhet në tregun e lirë, por që po has vështirësi për gjetjene e sasisë së energjisë së nevojshme.

“Në kushtet e një krize të krijuar prej luftës së Rusisë, agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe sigurisht në kushtet e një inflacioni mbarë botëror dhe sidomos ky inflacion sot në Europë ndihet me nivele dy shifrore, duhet thënë që Shqipëria e ka përballuar në mënyrën më të mirë. E ka përballuar në mënyrën më të mirë pasi kemi marrë një vendim të guximshëm, vendimin për të mbrojtur 100% abonentët tanë me një mburojë sociale energjetike dhe jo vetëm abonentët familjarë, por edhe abonentët e bizneseve të vogla, duke qenë se ne e konsiderojmë biznesin e vogël si motori i prodhimit ekonomik në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Balluku.

Ajo theksoi se, “kemi mbrojtur gjithashtu të gjitha ato biznese të cilat janë të lidhura në tensionin e mesëm, duke i mbrojtur nga ekspozimi për të dalë në tregun e lirë dhe pas bisedave shumë të gjata që kemi pasur me të gjithë grupet e interesit jemi duke analizuar sesi mund të mbrojmë në të ardhmen edhe ato biznese që tashmë ndodhen si klientë të tregut të lirë dhe kanë prej më shumë se dy vjetësh që i drejtohen këtij tregu të lirë për të siguruar sasitë energjetike”.

“Ditët e fundit madje kemi pasur një rast konkret ku një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit në Shqipëri e ka pasur të pamundur, jo vetëm për shkak të çmimit, por për shkak të sasive që të siguronte sasinë e duhur për ta mbajtur ndërmarrjen në punë. Kështu që ne kemi filluar ti adresojmë këto raste një pas një dhe padyshim do të japim një zgjidhje edhe për këtë grup të biznesit mjaft të rëndësishëm në kontributin e tij në ekonominë shqiptare”, tha ajo.

 

Fraksion.com