Ambasadori italian: Bashkëpunimi ynë është çelësi për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar
“Bashkëpunimi ynë ka qenë i frytshëm dhe shpresoj që ky bashkëpunim të jetë celësi për të luftuar në mënyrë të përbashkët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci
Ai tha se ky bashkëpunim kishte sjellë arrestimin e qindra personave.
“Fakti që ne jemi sot këtu me prokurorin antimafia dhe prokurorin e Barit, është tregues sesa të thella janë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë. Prokuroria dhe Drejtoria kanë 30 vite që punojnë dhe në këtë përiudhë Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara. Këtë e shohim në sektorin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SPAKU lindi tre vite më parë dhe marrëveshja e parë u bë me drejtorinë tonë anti-mafia. Italia është e pranishme në këtë vend në sektorë të ndryshëm”-tha Bucci.
Mes të tjerash, Bucci shtoi se skuadrat e policisë italiane në Shqipëri do të ishin të pranishme në mënyrë të vazhdueshme për të bërë të mundur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai tha se do të kishte tavolina të përbashkëta dy herë në vit mes institucioneve italiane dhe shqiptare për të prodhuar rezultate të rëndësishme.
“Kemi marrëdhënie kaq të thella edhe në fusha të biznesit dhe në sektorë të tjerë por që fatkeqësisht karakterizojnë edhe organizata kriminale. Ne kemi dhjetëra skuadra të përbashkëta, kemi Guardia Di Finanza që punojnë këtu në mënyrë permanente. Këtu do vijë nesër edhe komandati i përgjithshëm i forcave të Guardia Di Finanza. Ne kemi pasur edhe tavolina të përbashkëta që po prodhojnë rezultate të rëndësishme. Parashikohet që kjo tavolinë të mblidhet dy herë në vit, njëherë në Tiranë dhe njëherë në Romë. Kemi shumë gjëra që po i realizojmë së bashku dhe mesazhi im është që Italia në Shqipëri ekziston”- u shpreh ambasadori italian.
Fraksion.com