AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Serbët vazhdojnë të japin dorëheqje

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Në mëngjes jam informuar nga administrata që deputetët serbë i kanë dorëzuar mandatet – letrat e dorëheqjes”, tha shkurt Kërçeli.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.

Sipas burimeve, në gjykatën në Mitrovicë të Veriut, një pjesë e stafit të administratës kundërshtoi të dorëhiqet, duke thënë se ata “nuk pyeten për asgjë” dhe se “po na thuhet se çfarë të bëjmë”.

Kryetarja e Gjykatës Themelore, Lilana Stevanoviq, tha se “kolegët shqiptarët kanë marrë përsipër lëndët që janë të natyrës urgjente”.

“Ne u përpoqëm t’iu ndihmonim, ne dhe kolegët tanë kurrë nuk kemi pasur probleme, e kemi bërë punën tonë në mënyrë profesionale, jemi socializuar, kemi bashkëpunuar”, tha ajo.

Kryetarja e Gjykatës Themelore, Lilana Stevanoviq, dhe kolegët e saj nga kjo gjykatë. 7 nëntor 2022.
Kryetarja e Gjykatës Themelore, Lilana Stevanoviq, dhe kolegët e saj nga kjo gjykatë. 7 nëntor 2022.

Stevanoviq shtoi se rreth 150 serbë janë larguar nga gjykata.

“Sot, gjyqtarët që nuk kanë ardhur dje për të dorëzuar dorëheqjen në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, e kanë bërë këtë përmes emaileve zyrtare. Kolegët tanë, gjyqtarë dhe punonjës administrativë shqiptarë, mbeten në gjykatë, dhe i gjithë stafi administrativ dhe gjyqtarët serbë kanë dhënë dorëheqje”, tha më 7 nëntor gjyqtari në Mitrovicën e Veriut, Nikolla Kabashiq.

“Tani presim që të dorëzojmë lëndët dhe pajisjet që kemi marrë”, shtoi ai.

Ndërkaq, punonjësit e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të hënën nuk janë paraqitur në punë, konfirmuan për REL-in, zyrtarët e kësaj prokurorie.

“Deri në këto momente [ora 10:00], asnjë zyrtar i këtij institucioni nga radhët e komunitetit serb nuk ka dalë në punë”, tha Valon Preteni, zëdhënës i kësaj prokurorie.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrisë.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka 19 prokurorë dhe 65 punëtorë staf mbështetës. Nga ta janë 10 prokurorë serbë dhe 22 punonjës administrativë e staf mbështetës.

Për shkak të situatës në veri, Këshilli Gjyqësor i Kosovës pritet të mbajë një takim të jashtëzakonshëm mesditën e së hënës.

Sipas zyrtarëve, në këtë takim do të vlerësohet situata e krijuar në sistemin e drejtësisë dhe do të vendoset se si të veprohet në të ardhmen.

Kurse në Këshillin Prokurorial të Kosovës, zyrtarët thanë se më vonë gjatë ditës, përmes një komunikate do të bëjë të ditur për hapat e mëtejme.

Policët serbët kanë vazhduar të dorëzojnë armët dhe prangat në stacionin policor, pasi më 5 nëntor përfaqësuesit e Listës Serbe thanë se serbët në katër komunat në veri, do të largohen nga institucionet e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, dobësojnë shërbimet për qytetarët.

Sipas Kurtit, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti është shprehur se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.

Pse serbët po largohen nga institucionet e Kosovës?

Lista Serbe bëri të ditur më 5 nëntor se zyrtarët serbë në Kuvend, Qeveri, pushteti lokal, Polici, Gjykatë dhe institucione të tjera në veri të Kosovës do të largohen, derisa Qeveria në Prishtinë të tërhiqet nga plani i saj për targat.

Paralajmërimet e kësaj partie për largim nga institucionet u bënë pasi autoritetet në Kosovë suspenduan nga puna drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili deklaroi se nuk do të zbatonte vendimin e Qeverisë për targat.

Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.

SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.

Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian./REL

 

Fraksion.com