Berisha: Denoncoj qëndrimet e Edi Ramës, ndaj dramës shqiptare në kanalin e La Manshit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se kryeministri Edi Rama po ndërhyn në politikën e brendshme britanike për llogari të këshilltarëve të tij
Në një deklaratë në selinë e PD, Berisha tha se, “dua të denoncoj qëndrimet e Edi Ramës ndaj problemeve të mëdha, ndaj dramës shqiptare në kanalin e La Manshit. Autor kryesor i kësaj drame njerëzore është Edi Rama. Janë lidhjet e tij të tmerrshme me korrupsionin, janë vjedhjet e tij në afera qindra milionëshe, janë rrëmbimi i votës, që i bën këta qytetarë të pashpresë në vendin e tyre, janë lidhjet e forta me krimin dhe drogën të Edi Ramës, Olsi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë”.
“Edi Rama është angazhuar në betejë politike në Britani, i këshilluar nga këshilltarë që duan ta shndërrojnë çështjen e brendshme për pikë politike, Edi Rama kalon nga një konferencë në tjetrën, duke përdorur gjuhën ordinere, që tregon se nuk ka minimumin e edukatës njerëzore. Gjuhë që bazohet në urrejtje”, tha Berisha.
Berisha theksoi se, “Rama për interesat e tij është i gatshëm që të përdorë çdo fjalë dhe të mbajë çdo qëndrim”.
Berisha më tej shtoi se, “Porti i Durrësit është porti më i madh i kokainës në botë”.
“Kjo ikje masive e shqiptarëve diktohet nga kjo qeveri që nuk ka ligj e moral, nga kjo qeveri që vret shpresën e shqiptarëve, nga kjo qeveri që pasi i dorëzon krimit të gjitha sistemet e policisë, TIMS, MEMEX, të gjithë kartotekën 30-vjeçare të policisë, pasi hap dyert për largimin masiv në vende të tjera, pasi hap dyert për eksportin të krimit në katër anët e botës, vesh petkun e pseudopatriotit dhe shan si ordiner në rrugë”, tha ai.
“Edi Rama duhet ta dijë mirë se eksporti i krimit është një nga aktet më të rënda që një vend mund të bëjë ndaj fqinjëve të tij dhe vendeve të tjera”, nënvizoi Berisha.
“Lufta kundër krimit të organizuar është një nga detyrimet më madhore të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në këtë kontekst, dënoj me forcën më të madhe, këto qëndrime të cilat qëndrojnë në themel të dramës shqiptare që luhet në La Manshe”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu mbështeti sot Sindikatën e Universiteteve të vendit.
Kreu i PD garantoi se, “në çdo hap të saj, ajo dhe cilado organizatë apo individ që mbron një kauzë të drejtë, do ketë mbështetjen totale të PD-së”.
Fraksion.com