AktualitetPolitikëTë fundit

Alfred Rushaj heq dorë nga mandati i deputetit të PD-së

Deputeti i Partisë Demokratike Alfred Rushaj, ka vendosur të lërë mandatin, që do ta dorëzojë nesër zyrtarisht në Kuvend. Burime bëjnë të ditur se arsyeja lidhet me motive personale. Alfred Rushaj, mbështetës i Lulzim Bashës, mbajti për disa muaj detyrën e kreut të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike deri në janar të këtij viti. Posti që la bosh, u mbajt në vijim nga Enkelejd Alibeaj.

Mësohet se mandatin e tij i bie që ta marrë Petrit Doda që në zgjedhjet e 25 prillit ka marrë 5987 vota personale.

Alfred Rushaj një emër i njohur për demokratët, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme në qeverinë Berisha, iu bashkua Lulzim Bashës gjatë zgjedhjeve të prillit 2021, dhe drejtoi fushatën elektorale, ndërsa ish-kryedemokrati e radhiti ndër të parë në listën e PD-së për Tiranën.

Rushaj ka shërbyer si Zëvendës Ministër i  Financave nga viti 2009 deri në vitin 2013 dhe si këshilltar juridik i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë nga viti 2005 deri në vitin 2009.

Nga viti  1997 deri 2005 ka mbajtur disa pozicione menaxheriale dhe ekzekutive në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESh),  ka qenë Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të OSSH , Anëtar i Bordit të Drejtorëve të OST, Anëtar i Bordit të Drejtues për Agjencinë e Burimeve Natyrore, por ka mbajtur edhe pozicione të rëndësishme drejtuese në kompani të mëdha që operojnë në Shqipëri. Ai gjithashtu ka qenë pedagog i Drejtës Publike në Fakultetin e Drejtësisë nga viti  1999 deri në vitin 2004.

Ditën e sotme në media ka qarkulluar lajmi se edhe Grida Duma, deputete e PD-së ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetes së PD-së. Nga ana tjetër edhe deputeti Belind Këlliçi, nëse fiton primaret e Sali Berishës për kandidat për bashkinë e Tiranës, do të dorëzojë mandatin e deputetit, duke ndryshuar në këtë mënyrë listën e Tiranës me 3 emra të rinj.

 

Fraksion.com