AktualitetBota+Të fundit

Raportohet se SHBA po i bën thirrje Ukrainës të jetë e hapur për bisedime me Rusinë

Shtetet e Bashkuara janë duke inkurajuar privatisht Ukrainën që të japë sinjale se është e hapur për të negociuar me Rusinë, ka raportuar e përditshmja amerikane, Washington Post.

Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë se Moska është përshkallëzuar luftën dhe nuk është serioze në angazhim për bisedime të paqes.

Gazeta ka cituar burimet e saj të kenë thënë se kërkesa e zyrtarëve amerikanë nuk synon që ta shtyjë Ukrainën në tavolinën negociuese, mirëpo është përpjekje që Kievi të ruajë mbështetjen e kombeve tjera.

Zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas e kanë pranuar se qëndrimi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të mos pranuar negociata me presidentin rus, Vladimir Putin, ka rritur shqetësimet në disa pjesë të Evropës, Afrikës dhe Amerikës Latine, pasi lufta është duke ndikuar në rritje të çmimeve të ushqimit dhe gazit.

Këshilli për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë nuk e ka komentuar vërtetësinë e këtyre deklaratave.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se: “Ne e kemi thënë edhe më parë që veprimet flasin më shumë sesa fjalët. Nëse Rusia është e gatshme për negociata, ajo duhet të ndalë bombat dhe raketat, dhe duhet të tërheqë trupat nga Ukraina”.

“Kremlini vazhdon të përshkallëzojë këtë luftë. Kremlini ka demonstruar jogatishmërinë e tij për t’u përfshirë seriozisht në negociata, edhe para nisjes së luftës në Ukrainë”.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë gjatë një vizite në Kiev, ditë më parë, se mbështetja e Uashingtonit për Ukrainën nuk do të lëkundet, as pas zgjedhjeve për Kongresin amerikan që mbahen më 8 nëntor në SHBA.

Prej shpërthimit të luftës, ushtria amerikane i ka ofruar Kievit ndihmë në vlerë të 18.2 miliardë dollarëve amerikanë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

 

Fraksion.com