Pedagogët rikthehen në auditore, por paralajmërojnë protestë kombëtare
Sindikata e Pedagogëve ka vendosur të rikthehen në auditore për vijimin e mësimit.
Pas disa javësh bojkoti mësimor për plotësimin e kërkesave, ku më kryesorja ishte rritja e pagave, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë vendosi:
1. Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët;
2. Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;
3. Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!
4. Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qëndror të UPT.
Pak ditë më parë pedagogët njoftuan se do të hynin në grevë urie nëse qeveria brenda dy ditësh do t’i jepte një përgjigje në lidhje me kerkesat.
Pas përfundimit të afatit, ata kërkuan nga qeveria garancinë e jetës nëse do të hynin në grevën e planifikuar më parë.
Viti i ri akademik nisi me bojkotin e pedagogëve të universiteteve publike, të cilët paraqitën si kërkesë kryesore rritjen e pagave.
Që prej asaj dite kanë vijuar paraqitjen e kërkesave të tyre, ku më pas u shoqërua me thirrje për protesta kombëtare.
Qeveria ra dakort për një rritje me 15 % të pagës, ku vetëm 7 % do të paguhej nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga universitetet përkatëse.
Pedagogët nuk ranë dakord me këtë vendim dhe vendosën të vazhdonin bojkotin e mësimit.
Së fundmi ata vendosën rikthimin në auditore, por njëkohësisht paralajmëruan për një protestë kombëtare këtë të martë në orën 11.
Fraksion.com