“Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës dhe tensionet në Veri”, Vuçiç: Beogradi nuk ka gisht fare!
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka mohuar se largimi i Listës Serbe nga institucionet në veri të Kosovës është bërë me urdhër të Beogradit zyrtar. Në fjalën e tij para kombit kujton tensionet e mërparshme duke thënë se serbët kanë dashur prej kohësh të largohen nga institucionet, por kanë qëndruar deri tani për shkak të Vuçiç.
“Pas 10 vitesh serbët morën vendimin që të largohen nga institucionet e Prishtinës. Edhe më parë, i këshillova të mos e bënin këtë dhe ata më dëgjuan, sepse isha gjithmonë me popullin. Unë i kam penguar të paktën 20 herë. Pastaj erdhi qershori dhe incidenti i parë. Atë natë mund të ketë pasur një gjakderdhje të madhe, të paparë, shqiptarët po e përgatisnin, serbët nuk donin të fshiheshin”, tha ai.
Siç pretendon presidenti serb, në fillim të gushtit kur pati tensione, iu lut serbëve që të lëvizin barrikadat e vendosura në veri të Kosovës.
“Pas 11 orësh më thanë se do ta bëjnë sepse ia kërkova unë, përndryshe nuk do ta bënin për asgjë tjetër. Shkova në Bruksel në gusht, doja të arrinim diçka, nuk mund t’i lija njerëzit se çmenduria në Prishtinë nuk ka fund. Njëkohësisht e gjithë kjo u përkrah nga dy fuqi të mëdha”, tha Vuçiç.
Vuçiç theksoi se është e rëndësishme që njerëzit të dinë se çfarë është kaluar në dekadat e mëparshme dhe në muajt e mëparshëm.
“Në vitin 1999 praktikisht e humbëm sovranitetin mbi Kosovën dhe në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë. Negociatat i kemi filluar në vitin 2012, 2013. Është e vështirë të krahasohen me ato të vitit 1998 dhe 1999 sepse pasojat ishin më të mëdha. Por që atëherë, këto kanë qenë më të mëdhatë dhe më të vështirat. Me marrëveshjen e Brukselit, kemi blerë 10 vjet paqe. Kemi rritjen më të shpejtë në rajon”, tha Vuçiç.
Vuçiç shpreson që amerikanët të kujdesen për sigurinë në veri.
“Nëse SHBA-të janë mjaft të zgjuara dhe të përgjegjshme, do t’i thonë KFOR-it, UMNIK-ut dhe EULEX-it që të kryejnë punën e policisë në veri, kjo do të kontribuojë për paqen”, deklaroi ai.
Reagimi i Presidentit serb vjen një ditë pasi Lista Serbe u largua nga të gjitha institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS -Republika e Kosovës. Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Përveç vendimit për targat, krerët e Listës Serbe kanë kërkuar edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Po ashtu, ditën e sotme u mbajt një protestënga Lista Serbe për të kundërshtuar vendimin për targat. Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin, në tri faza, për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.
Plani i qeverisë së Kosovës për targat:
- Në fazën e parë do të ketë tërheqje vëmendjeje ose e thënë ndryshe masë ‘qortuese’, kjo fazë është parashikuar të jetë mes datave 1 nëntor deri më 21 nëntor.
- Në fazën e dytë do të ketë gjobë (ende e pa përcaktuar shifra konkrete), kjo fazë është parashikuar të jetë mes datave 21 nëntor deri më 21 janar,.
- E ndërsa faza finale pritet të jetë ndalimi i të gjitha targave provuese do të ketë targa provuese për dy muaj, pra nga 21 janarideri në 21 prill. Pas datës 21 prill në Republikën e Kosovës nuk do të ketë më targa të tjera.
Fraksion.com