AktualitetPolitikëTë fundit

Rama nga Mallakastra: Ne kemi një vegël të Kremlinit këmbëkryq në Tiranë, PD-në e “non gratës”

Kryeministri Edi Rama, nga Mallakastra, foli për efektet e luftës së Rusisë në Ukrainë, teksa theksoi se qëllimi i luftës së Putinit nuk janë copat nga Ukraina, por gjunjëzimi i bashkësisë euroatlantike.

Rama tha se për këtë, Putin po përdor gazin dhe energjinë, duke nxitur njerëzit të ngrihen të rrëzojnë qeveritë e tyre.

“Me këto dy armë Kremlini kërkon të nënshtrojë perëndimin. Kjo duke ndezur një zjarr nga poshtë, duke nxitur njerëzit të ngrihen, të rrëzojnë qeveritë e tyre, dhe duke gjetur vegla lart. Ne e kemi një vegël të Kremlinit, këmbëkryq në Tiranë, PD-në, atë të “non gratës”, sepse nuk është më një tezë, por një fakt i shkruar në raportin e shërbimit sekret amerikan, të CIA-s”, deklaroi kryeministri gjatë një takimi me qytetarë në Mallakastër, në kuadër të turit llogaridhënës që po zhvillon ai në qytete të vendit.

Rama tha se nuk ka nevojë për shkencë për të kuptuar se Kremlini i ka hapur luftë jo Ukrainës, por Perëndimit dhe qëllimi final nuk është të marrë copa nga Ukraina, por të gjunjëzojë bashkësinë euroatlantike, pjesë e së cilës jemi dhe ne.

“Dhe ne prekemi nga kjo luftë. Dhe Rusia po përpiqet të gjunjëzojë perëndimin duke e kthyer energjinë në armë. Dihet që Rusia është furnizuesi kryesor i Evropës me gaz, dhe ai impakton çmimin e energjisë”, deklaroi ai.

Rama ngriti pyetjen se pse Rusia duhet të paguante 500 mijë dollarë për të rrëzuar qeverinë.

“Pse duhet të paguante Rusia 500 mijë dollarë për PD-në, për të rrëzuar qeverinë tonë në 2017-ën, çadrës. Ja ku na doli se çadra ishte “dava” ruse. Pse? Që ta bëjnë Shqipërinë më demokratike? Për këtë kishte merak Rusia? Me euroatlantike? Të ketë më shumë liri dhe të drejta? Ndaj donin të sillnin PD-në në pushtet? Unë besoj të kundërtën”, deklaroi kryeministri….

Kryeministri u shpreh se financimi rus për PD-në ka lidhje me akuzat ndaj UÇK-së.

“Dhe kur shikon që paguan gjysmë milionë dollarë për të rrezuar qeverinë në Shqipëri, përmes PD-së , kupton që kjo lidhet me atë që ndodhi më pare, kur qeveria e PD-së bashkoi votën në Këshillin e Evropës me partinë e Putinit për të goditur Kosovën. Kosova u godit me këtë bashkim votash dhe UÇK u kryqëzua botërisht nga një lajm që doli në të gjitha gazetat e botës, si një bandë që trafikonte organe njerëzore nga Shqipëria. Ju kujtohet kur “nongata” tha: më erdhi Donald Lu më solli dosjen e parave ruse dhe e refuzova si thashethem i SOROS dhe Edvinit. Mos vallë ky refuzim të nxori hapur dhe të erdhi “nongrata” nga mbrapa. Se që SHBA të nxjerrin “nongrata” një president, kryeministër, të një vendi të NATO-s, me të cilin kanë bashkëpunuar, kjo është një arsye shumë e fortë për të, është unikale. Dhe nuk ka se si të mos mendosh që ai korrupsioni madhor dhe minimi i demokracisë, janë të lidhura me faktin që këtu kemi të bëjmë me një vegël”, deklaroi Rama.

Më tej, Rama foli dhe për bashkimin e PD-së me Partinë e Lirisë, kur tha se veglat janë bashkuar.

“Imagjinoni, janë bashkuar veglat bashkë, lloj-lloj spiunësh, të pabesësh në raport me interesin kombëtar, Shqipërinë dhe Kosovën dhe kërkojnë atë që kërkon lufta e Vladimir Putinit, që të ngrihen njerëzit dhe të rrëzojnë qeveritë e tyre, duke thënë nuk ka luftë, këtu fajin e ka qeveri. Këtë thotë Putin. Ky është Putinflacion. Shqipëria është në rrezik”, deklaroi ai.

Rama tha se fatkeqësi është se një pjesë e njerëzve ju shkojnë nga mbrapa.

“Për dinjitetin e kujt, që Shqipëria të kthehet në një karagjoz shtet, që i bën karshillëk planetit dhe i thotë Amerikës: këtu jam unë dhe nuk pyes për ty . Ne e dimë që nuk është kështu, se bëhet si themi ne për çështjet tona të brendshme, por s’ bëhet si themi ne për çështje të Aleancës, në të cilën ne jemi pjesë. Ne kemi fatkeqësi që kemi një vegël, një çorbë ruse mes vendit, një bashkim të një të keqeje të madhe”, deklaroi Rama.

Rama risolli në vëmendje këshillën që i jepte Bashës për tu ndarë nga Berisha dhe Meta.

 

Fraksion.com