Rama për emigrimin në Britani: Shqiptarët po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj
Kryeministri Edi Rama foli sot edhe për fenomenin e emigrimit drejt Britanisë.
Rama citoi një gazetare britanike e cila në një artikull është shprehur se, shqiptarët po bëjnë sot atë që kanë bërë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj.
Kreu i Ekzekutivit theksoi se “sot nuk jemi më në bunkerin e komunizmit që na detyronte të rrinim brenda”.
“Më bëri shumë përshtypje një artikull i një gazetareje të famshme britanike që shkruante lidhur me këtë debatin e hapur në Britani, pas ndërhyrjes time në atë debat dhe thoshte, vetëm vendet diktatoriale vënë në diskutim lirinë e njerëzve për të ikur apo për të ardhur. Shqiptarët sot, thoshte, po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj. Po bëjnë atë që ne kur kemi qenë më pak të pasur se sot e kemi bërë shumë më tepër se këta në një kohë tjetër. Dhe po bëjnë atë që sot e bëjnë edhe njerëz të Britanisë që jetojnë në zona të vështira dhe që vijnë në Londër”, u shpreh Rama gjatë takimit me fermerët në Tropojë.
“E solla këtu për të thënë që është e pamundur dhe nuk është e drejtë, që t’u thuhet njerëzve rrini këtu, mos ikni, se këtu është atdheu etj. Njerëzit janë në të drejtën e tyre të marrin vendimet e tyre. Sepse shyqyr Zotit nuk jemi më në bunkerin e komunizmit që na detyronte të rrinim brenda, dhe nuk na linte as të hapnim dritaren, jo më të hidheshim nga dritarja”, theksoi Rama.
Por nga ana tjetër, shtoi ai, është fakt që në Shqipëri nëse do t’i krijosh vetes mundësi, ia krijon.
Sipas tij, nëse në qytet mundësitë janë më të kufizuara, në fshat janë të pafundme.
“Nëse në Tropojë sot vijnë siç janë regjistruar këtë vit rreth 150 mijë turistë, të cilët kalojnë dhe vazhdojnë në pika të tjera, kjo do të thotë që ka një treg për këdo që jeton në fshat. Tregu është që me shtëpinë e vjetër të gjyshit, stërgjyshit dhe në tokën rreth e rrotull ti ke mundësi që të ndërtosh një pikë që të tërheqësh disa prej tyre”, tha Rama.
Fraksion.com