Rama: Berisha “non grata”, vendimi i SHBA-së duhet lexuar deri në fund
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimi i SHBA-së për “non gratën” e Berishës duhet lexuar deri në fund.
Gjatë një takimi në Tropojë ku u prezantuan punët e kryera nga bashkia, Rama tha se “sot duhet menduar që çfarë e detyron aleatin tonë më të madh strategjik, Shtetet e Bashkuara që të shpallë “non grata” një person që ka qenë president i këtij vendi dhe me të cilin Shtetet e Bashkuara kanë pasur bashkëpunim; që ka qenë kryeministër i këtij vendi dhe me të cilin Shtetet e Bashkuara kanë pasur bashkëpunim?”.
“Korrupsioni ok, po mjafton për të shpallur “non grata” një personalitet të një vendi aleat? Minimi i demokracisë, po si? Intimidimi i drejtësisë, dakord! E pra miqtë e mi, unë po ju them që në dritën e çfarë po ndodh sot, duhet lexuar deri në fund edhe ai qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe në dritën e çfarë po ndodh sot duhet të kujtoheni pak edhe për fushatën e 2021, kur unë i thosha Lulit, Lul, ndahu nga ata të dy”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se “mua nëpër të gjitha këto klubet e natës televizive më ktheheshin e më thoshin “po ç’punë kanë ata të dy? Njëri është një burrë i vjetër, në pension, në punë të vet. Tjetri s’ka lidhje fare, se është president”. Po tani që Luli s’është dhe ata të dy na qenkan?”.
Sipas tij, kjo nuk është çështje politike të brendshme.
“Prandaj i them të gjithë atyre që e shikojnë këtë çështje si çështje politike të brendshme, të gjithë atyre që e shohin këtë çështje si çështje PS-PD, kjo nuk është çështje PS-PD. Të gjithë atyre që e shohin këtë çështje si pushtet-opozitë, kjo nuk është çështje pushtet-opozitë! Kjo është më shumë se kaq. Kjo është një çështje mirëfilli shqiptare dhe kjo është me cilën anë Shqipëria është, me kë? Ku rreshtohet Shqipëria në këtë situatë? Rreshtohet me aleancën në të cilën jemi me fjalë dhe me vepra, apo rreshtohet si një vend, ku me fjalë jemi në atë aleancë, se nuk guxon njeri të thotë s’jemi, po me vepra bëhemi një anëtar i gjymtuar i kësaj aleance. Është shumë e thjeshtë. Aq sa e pamundur duket, aq e vërtetë është”, tha Rama.
Fraksion.com