Primaret në PD: Kalaja prezanton kandidaturën në primaret për bashkinë e Tiranës
Avokatja Adriana Kalaja shpalli sot kandidaturën në zgjedhjet primare për bashkinë e Tiranës në Partinë Demokratike.
Në një deklaratë për mediet, Kalaja deklaroi se të gjithë jemi dëshmitarë të transformimit dhe përçudnimit, që Veliaj i ka bërë Tiranës.
“Si grua, qytetare, nënë dhe gjyshe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të marrësh përsipër sfida të tilla, aq më shumë kur përballë ke një pushtet, që ka deligjitimuar votën dhe garën, i cili mbahet në këmbë nga bashkëpunimi me mafian dhe krimin për të vjedhur votat. Të gjithë jemi dëshmitarë të transformimit dhe përçudnimit, që Kryetari i Bashkisë Veliaj, duke ndjekur të njëjtën rrugë si ajo e shefit të tij Rama, në bashkëpunim me mafian e betonit, i kanë bërë Tiranës. Të gjithë e shohim se hapësirat e gjelbra dhe terrenet sportive janë zëvendësuar me kullat shumëkatëshe, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse pastrim parash”, tha ajo.
Kalaja tha se mungesa e ujit, transporti publik e bënë Tiranën të krahasueshme me vendet e pazhvilluara shumë larg Evropës.
“Të flasësh në vitin 2022 për mungesën e ujit dhe të transportit publik në shërbim të qytetarëve e bën Tiranën të krahasueshme me vendet e pazhvilluara shumë larg Europës dhe aspak me ato në mes të saj gjeografikisht”, tha Kalaja.
Fraksion.com