AktualitetPolitikëTë fundit

Opozita në harmoni me Kremlinin, në kundërshti me interesat e shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi  në një intervistë në emisionin “Real Story” se, opozita është në kundërshti me interesat e shqiptarëve dhe se ata janë në harmoni me Kremlinin.

I pyetur nëse mendon për zgjedhjet në situatën që po kalon vendi, Rama u shpreh se “kjo është një situatë kur mendohet për një përpjekje të suksesshme për të mbajtur në ekuilibër ekonominë me financat e vendit dhe zgjedhjet janë gjëja e fundit që unë mendoj në këtë rast”.

Duke folur për opozitën, Rama u shpreh se janë vendosur në kundërshti me interesin e shqiptarëve.

“Për fat të keq ata nuk janë kundërshtarët e mi politikë. Për fat të keq ata janë më shumë se kaq. Ata janë vendosur në kundërshti me interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe është shumë e rëndë kjo dhe është me shumë keqardhje që unë e them sepse sikundër edhe faktet tanimë e kanë treguar lidhja e tyre me paratë ruse nuk është një hipotezë është një fakt. Dhe është një lidhje e cila nuk është këputur për fat të keq”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi kryeministri, “dhe qasja dhe mënyra dhe argumentet dhe gjithë përpjekja për të turbulluar në mënyrë të vazhdueshme mendjen e njerëzve janë të gjitha në harmoni me çka do të dëshironte Kremlini që të ndodhte në Shqipëri dhe me çka Kremlini dëshiron të ndodhë në çdo vend. Dhe po të shikoni ka dhe një harmoni në mënyrën sesi flitet dhe mënyrën sesi përgatiten gjërat me forca të ngjashme në vende të tjera”.

“Kjo”, u shpreh Rama, “është një fatkeqësi shumë e madhe sepse shqiptarëve që janë shqiptarë nuk u takon fare të kenë asnjë lidhje të asnjë lloj natyre me Kremlinin dhe me politikën e Kremlinit, por këta e kanë”.

Për deklaratën e deputetit të PD Paloka se, duhet të japë dorëheqjen para datës 12 nëntor sepse më 12 nëntor njerëzit mund të mbërrijnë në zyrën e tij, Rama u shpreh se, “niveli i bisedës, niveli i përfaqësimit të njerëzve që fatkeqësisht ende u besojnë këtyre personazheve tragjikomikë të historisë sonë bashkëkohore është kaq i ulët saqë akoma e ngatërrojnë pushtetin që buron nga populli me muret e një zyre dhe akoma e mendojnë raportin me përfaqësimin dhe raportin me mandatin qeverisës si një raport me mure dhe me zyrë dhe si një raport force me paralajmërime dhe kërcënime, të cilat unë i neveris në këtë kohë që është një kohë shumë specifike dhe e vështirë për të gjithë bashkësinë euroatlantike, të cilës ne i përkasim dhe që nuk është një kohë e lehtë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këta meritojnë vetëm neveri dhe përçmim, nuk meritojnë asgjë tjetër sepse janë realisht ferra nëpër këmbët e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në këtë fazë jo të lehtë të historisë së tyre”.

I pyetur nëse do të jetë në zyrën e tij në 12 nëntor, Rama tha se, “Këtu nuk jemi duke shkruar bashkërisht këngën e re të Oso Kukës. Këtu jemi në një vend që është një vend demokratik, është një vend i NATO-s, është një vend që po negocion për t’u anëtarësuar në BE dhe nuk mund të flitet dhe nuk mund të mendohet në këto terma. A do jesh ti në kullë kur të vijë hasmi apo do lësh kullën dhe do t’ia lësh në dorë shkjaut? Këto janë marrëzi të cilat flasin shumë për sa shumë e duan këta Shqipërinë dhe sa shumë i respektojnë këta shqiptarët”.

 

Fraksion.com