AktualitetPolitikëTë fundit

Nesho: Procesi i Berlinit, garanton perspektivën europiane të shqiptarëve

Partia e Lirisë ka përshëndetur sot takimin e Berlinit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një deklaratë për mediet, zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho, thekson se Procesi i Berlinit garanton perspektivën evropiane të shqiptarëve.

“Partia e Lirisë përshëndet takimin e Berlinit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadrin e fuqizimit të procese integruese të këtij rajoni dhe perspektivës së qartë dhe të sigurtë të tyre në Bashkimin Evropian. Kjo Platformë, siguron përfaqësim të barabartë të shteteve, politika të konsoliduara evropiane, respektimin e vlerave dhe principeve perëndimore, treg të përbashkët rajonal, që siguron lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, dhe kapitalit”, u shpreh ai.

Nesho thekson se qeveria shqiptare duhet t’i përkushtohet me çdo gjë dhe pa rezerva, këtij projekti madhor.

“Përkrahja për këtë iniciativë për Ballkanin Perëndimor nga përfaqësuesit e Brukselit dhe vendet e BE-së, është një përkrahje për integrimin e shpejtë të rajonit në BE. Ne kemi kërkuar, për të mos humbur kohë e energji me projekte te tjera si Ballkani i Hapur, të cilat, përveçse protagonistit të panevojshëm, interesave të ngushta dhe shmangia e interesave kombëtare, nuk e afronin procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ne mendojmë se sot është koha që qeveria shqiptare ti përkushtohet me çdo gjë dhe pa rezerva, këtij projekti madhor që realizon aspiratën e popullit tonë për tu bashkuar më shpejtë me BE-në”, tha ai.

 

Fraksion.com