Meta: Paketa fiskale, qëndrim armiqësor ndaj biznesit
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot ndaj paketës fiskale për vitin 2023, e cila sipas tij, “dhjetëfishon gjobat, si qëndrim antikushtetues dhe armiqësor ndaj biznesit”.
Meta tha se “qeveria vazhdon në mënyrë këmbëngulëse të godasë investitorët vendas, përpiqet të monopolizojë më tej ekonominë, të favorizojë importet në kurriz të prodhimit vendas, si dhe të rrezikojë mbylljen e mijëra vendeve të punës në vend dhe këtë e tregon paketa fiskale”.
“Është e paimagjinueshme që në këto kohë tepër të vështira, në vend që të krijohet një klimë tepër pozitive dhe tërheqëse ndaj biznesit, ndodh saktësisht e kundërta, për ta dekurajuar dhe falimentuar atë përmes frikësimit dhe shantazheve”, tha ai.
Meta tha se në këto kushte papunësie dhe krize të kostos së jetesës, goditja e prodhimit vendas, siç është heqja e akcizës së diferencuar për prodhimin vendas, për sa i takon birrës, është një kundërvënie edhe ndaj direktivës të Bashkimit Europian.
“Jo vetëm që godet prodhimin vendas por njëkohësisht rrezikon mbylljen e mijëra vende pune ekzistuese. Lidhur me akcizën, ky shqetësim është ngritur edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, por edhe Dhoma e Tregtisë së Shqipërisë, nga shoqatat e tjera të biznesit, do të thotë një asgjësim i prodhimit “Made in Albania”, por edhe hedhje në rrugë të madhe e qindra e mijëra qytetarëve të punësuar në zinxhirin e prodhimit dhe shpërndarjes së birrës shqiptare”, tha ai.
Po ashtu, Meta shtoi se “në këto kohë sfidash të energjisë kërcënimi për vendosje tatimi të jashtëzakonshëm për prodhuesit privat të energjisë elektrike është më se absurd edhe është një përpjekje populiste për të fajësuar për koston e lartë të energjisë që paguajnë qytetarët shqiptarë”.
Fraksion.com