Rama merr pjesë në Procesin e Berlinit, pritet nga Scholz
Kryeministri Edi Rama u prit sot në Berlin nga Kancelari Federal i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Rama ndau në rrjetet sociale momente të pritjes nga Kancelari Scholz.
Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare drejt Gjermanisë, me ftesë të Kancelarit Gjerman Olaf Shcolz, ku po merr pjesë në samitin “Procesi i Berlinit 2022”.
Në samit fjala e hapjes mbahet nga Olaf Scholz, Kancelar Federal i Gjermanisë dhe Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.
Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e tij në sesionin e parë të punës “Bashkëpunimi Rajonal (përfshirë Çështjet e Migracionit) dhe Tregu i Përbashkët Rajonal”. Gjithashtu
Rama do të mbajë një fjalë në sesionin e dytë të punës “Sigurimi i furnizimit me energji dhe gjetja e burimeve të reja energjetike”.
Më pas do të jetë ceremonia e nënshkrimit të tre marrëveshjeve rajonale për lëvizshmërinë. Kryeministri Rama do të zhvillojë më pas një takim zyrtar me përfaqësues të Forumit Rinor dhe atij të Shoqërisë Civile.
Gjithashtu Rama do të marrë pjesë në drekën e punës me fokus në çështjet energjetike dhe të ardhmen e procesit të Berlinit.
Kancelari Scholz, Presidentja e Komisionit të BE-së Von der Leyen dhe Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë do të mbajnë një konferencë për shtyp.
Axhenda e Samitit do të ketë në fokus të veçantë sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër si dhe angazhimin e rajonit për të përshpejtuar zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Ai gjithashtu do të trajtojë iniciativat për të rritur zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të shpallur në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor 2020.
Fraksion.com