Kutia e Pandorës u hap në Zyrën e Kurtit, Ramush Haradinaj pa aty marrëveshjen me Serbinë
Ramush Haradinaj ishte i vetmi nga opozitarët që i shkoi në Zyrë Kryeministrit Kurti muajin e kaluar. Aty thotë se e lexoi për të fundit herë tekstin e marrëveshjes Kosovë -Serbi të propozuar nga Perëndimi. Si askush më parë, Ramush Haradinaj të martën në Pressing dha detaje për tekstin. Si e parasheh njohjen ky plan? Kur do të kryhet marrëveshja? Pse duhet ta pranojë Kosova dhe pse Haradinaj ia bën avokatin kësaj draft-marrëveshjeje?
“Nuk është plan franko-gjerman”, insiston disa herë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kur pyetet për propozim-marrëveshjen, që i është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë nga këshilltarët e Kancelarit gjerman dhe Presidentit francez.
Haradinaj ka thënë mbrëmë në Pressing disa herë që propozimi është brum amerikan dhe në të janë të involvuar edhe NATO-ja dhe Perëndimi në përgjithësi.
“Nuk është plan gjermano-francez. Ky dokument, kjo materie, kjo kontratë, ka involvim të madh amerikan. Është amerikane. NATO është shumë e involvuar në këtë”.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, është i vetmi që i ka shkuar në takim Kryeministrit Albin Kurti, kur ai i thirri krerët opozitarë.
Haradinaj, i pyetur nëse në Kurti i ka dhënë detaje rreth propozimit të ashtuquajtur franko-gjerman, në takimin e tyre, ka thënë se “për të arritur deri te ai plan ka pasur diskutime, e që në një pjesë të këtyre diskutimeve kam marrë pjesë edhe vetë”.
Më pas ka nisur të shpalosë detaje e ka dhënë informata, të cilat ai thotë se burojnë nga drafti i marrëveshjes së sponsorizuar nga Perëndimi, që tash është në tryezat e palës kosovare dhe palës serbe.
Fillimisht, ai thotë se emri i marrëveshjes më nuk është më “gjithëpërfshirëse”, siç synohej më parë.
“Dikur ka pasur të quhet marrëveshje gjithëpërfshirëse, tani te emri ka zbrit në ata që quhet ‘marrëveshje bazike’ ose ‘marrëveshja finale’. Kapitujt e saj janë marrë prej kartës së OKB-së, që i rregullopjnë marrëdhëniet e shteteve”
Sipas profesorit Blerim Latifi, ky riemërim i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është “degradim”, pasi më nuk flitet për një marrëveshje përfundimtare.
Haradinaj thotë se drafti i përfolur e ka njohjen në brendësi, por ky nuk është emri i marrëveshjes, që ai i referohet si kontratë, e kjo, sipas tij, u bë me qëllim që presidenti serb, Aleksandër Vuciq, të mund ta arsyetojë pranimin e saj.
“Njohja në kontratë është. Është heq në emër, por në kontratë është”.
“Është gjetur një hapësirë që Vuciq, në emër të kontratës e ka mundësinë t’i thotë Serbisë se nuk e kam njohur Kosovën. Në fakt në kontratë po, e ka njohur Kosovën. Sepse, marrëdhëniet rregullohen mes dy shteteve të pavarura, por që nuk kanë marrëdhënie diplomatike”, thotë Haradinaj.
Nëse kjo marrëveshje arrihet, sipas Haradinajt, këtu përmbyllet edhe dialogu mes Serbisë dhe Kosovës. Siç thotë ai, Kosova më nuk ka interes për negociata, sepse synimet e saj arrihen prej kësaj marrëveshjeje.
“Nuk besoj që do të ketë më dialog, as për njohje. Sepse, vetëm nëse do Serbia me të njohë për interesa të veta, por Kosova nuk ka më interesa të tjera, pse të insistojë në formalen”.
“Nëse me këtë proces ne e nisim edhe BE-në, edhe NATO-n, edhe OKB-në, më është cështje e marrëdhënieve fiqnjësore, a doni t’i keni më të mira, a jo, por proceset ndryshojnë shumë”, tha mbrëmë Haradinaj.
Siç përflitej, propozimi parasheh që normalizimi i raporteve të bëhet tani, ndërsa njohja e ndërsjellë të vjen në një kohë më të gjatë kohore, ndoshta pas 10 vjetëve.
Haradinaj thotë se, nëse do të arrihej kjo marrëveshje, nuk do të ketë nevojë për negociata pas një dekade, e asnjëherë.
“Na ky moment, nuk ka më negociata, as pas 10 vjetëve, as pas 100 vjetëve, se nuk ka më nevojë Kosova. Kosova çlirohet prej cilësdo varësi nga Serbia”.
Sipas ish-kryeministrit, në një moment, Serbisë do t’i duhet ta njohë Kosovën për interesat e saj, si anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por kjo s’do të jetë cështje me të cilën duhet të merret Kosova.
Haradinaj tha se dokumenti nuk e ka njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së, porse sigurimi i këtyre njohjeve është pjesë e procesit për arritjen marrëveshjes.
Gjatë debatit u tha se shtetet mosnjohëse mund të mos binden që ta njohin Kosovën edhe pasi të ketë një marrëveshje.
“Ekziston dakordimi politik që kjo marrëveshje, pra ata që e sponzorizojnë këtë marrëveshje, Amerika dhe BE-ja të diskutojnë me shtetet njohëse dhe jonjohëse, pra plot vende do ta përshëndesin këtë. Mirëpo, derisa të merret njohjen e këtyre katër vendeve [anëtare të NATO-s], ekziston një far droje. Por, ekziston një mobilizim i madh ndërkombëtar për të ndodhur njohja nga to” , ka thënë kryetari i Aleancës.
Haradinaj thotë se “në kapitujt” e draftit të marrëveshjes së propozuar, përfshihen edhe të drejtat e minoriteteve, e këtu hyn formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ka po ashtu obligimin që të mos të pengojë në përspektivë e në anëtarësim, por i ka edhe ato që i dimë, pra, të drejtat e komuniteteve, si rasti i Asociacionit, i Kishës Serbe. Janë pjesë e marrëveshjeve, me kapituj” , thotë ish-kryeministri.
Pse u shndërrua Haradinaj në avokat të kësaj marrëveshjeje?
Ish-kryeministri, përvecse është i vetmi nga opozita që e ka pranuar ftesën e Kurtit për diskutim rreth negociatave me Serbinë, ai e promovon propozimin që thotë se e ka sponsorizuar SHBA-ja.
Ai e sheh këtë një mundësi që Kosova të ecën përpara, pa i dalë më vonë në rrugë pengesat me Serbinë.
“Ecja përpara e Kosovës me këtë marrëveshje. Së pari e heq varësinë”, thotë Haradinaj, kur pyetet se pse avokon për këtë marrëveshje.
Përfitim i Kosovës nga pranimi dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, sipas Haradinajt, lidhet edhe me sigurinë e saj dhe rrugën që i hapet për anëtësim në NATO.
“Ne përderisa nuk kemi parakontratë me NATO-n, se kontrata vjen më vonë, ne nuk mund ta konsiderojmë cështjen e sigurisë, të mbyllur. Është koha e fundit që ne me u nis për NATO. Nuk funksionon me sigurinë e falur”, ka thënë Haradinaj.
Me aq sa dihet Kosova nuk ka kthyer akoma përgjigjen për propozimin që i është bërë, por është lënë të kuptohet nga akterë qeveritarë, që po zhvillohen negociata rreth këtij plani.
Haradinaj thotë se propozimi është përpiluar në diskutime të gjëra nga të gjitha anët, e kësisoj, akti final nuk ka shumë hapësirë për ndryshime.
“Nuk besoj se ka hapësirë për manovrim më. Mund të ndodhë me dakordim të dy palëve, nëse dy palëve u pengon diçka”, tha ndër te tjera Haradinaj.
Deri tash, zyrtarisht asnjëra palë e as ndërmjetësuesit nuk kanë dhënë detaje rreth përmbajtjes së planit që i është propozuar Kosovës dhe Serbisë.
Kreu i AAK’së zbuloi edhe detaje interesante nga takimi me Kurtin, duke thënë se ishte pikërisht Zyra e Kurtit ku e lexoi tekstin e marrëveshjes.
“Së fundi e kom lexu prej Kryeministrit. Kemi qenë me Ardianin (Gjinin), dytë e kemi lexu. Nja një orë jemi marrë me to. Po e përsëris, jo së pari herë” tha Haradinaj.
I pyetur nëse ky dokument është ofruar si tekst i panegociueshëm, Haradinaj thotë se është e vështirë të refuzohet.
“S’di që kemi me mujt me lonë kësaj herë. Unë mendoj që kjo situatë do të ketë epilog para fundit të vitit”. /Express
Fraksion.com