AktualitetKosovaTë fundit

Kurti takohet në Berlin me Borrellin dhe Lajçakun

Kryemiistri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Berlin kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Zyra e kryeministrit njoftoi se ata biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, çështjen e energjisë, si dhe për vendimin e fundit i Qeverisë për targat ilegale.

“Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq, ai bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit, të dënohet nga të gjithë”, thuhet në njoftimin e 3 nëntorit.

Pas takimit Borrell ka shkruar në Twitter se me Kurtin ka diskutuar edhe për situatën në veri të Kosovës, duke shtuar se djegia e veturaveme targa RKS atje është e papranueshme.

“E diskutuam situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e veturave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen. Ftojmë të gjithë të jenë të përmbajtur në veprime. Ne, gjithashtu, diskutuam për rrugën përpara për normalizimin”, shkroi ai.

Kurti po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi i Berlinit.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë shprehur të “zhgënjyera” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për mosshtyrjen e afatit për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe konvertimin e tyre në targat RKS – Republika e Kosovës.

SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar më 31 tetor kërkuan nga Kosova shtyrje të plotë të afatit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, e jo “shtyrje të pjesshme”.

Një ditë më vonë, zëvendëskryeminsitri, Besnik Bislimi tha se targat nuk janë më pjesë e dialogut, por vendim që po zbatohet.

Zbatimi i planit të Qeverisë ka nisur më 1 nëntor dhe do të bëhet në tri faza.

E para përfshin qortimin e qytetarëve, e dyta shqiptimin e gjobave dhe e treta targat provuese.

Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në qarkullim do të lejohen vetëm makinat me targa që i lëshon shteti i Kosovës – RKS./rel

 

Fraksion.com