KS hedh poshtë kërkesën ruse për hetimin e armëve biologjike në Ukrainë
Këshilli i Sigurimit të OKB-së hodhi poshtë të mërkurën përpjekjet e Rusisë për të krijuar një komision për të hetuar pretendimet e saj të pabaza se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara po kryejnë aktivitete “biologjike ushtarake” që bien ndesh me konventën që ndalon përdorimin e armëve biologjike.
Rezoluta ruse u mbështet vetëm nga vota e Kinës. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca votuan kundër kërkesës ruse ndërsa 10 vendet e tjera të këshillit abstenuan. Rezoluta nuk u miratua sepse nuk arriti të merrte minimumin e kërkuar të mbështetjes prej nëntë votash.
Votimi me dy vota pro, tre kundër dhe abstenimi i dhjetë vendeve të tjera pasqyron kundërshtimin dhe skepticizmin e vazhdueshëm të Këshillit të Sigurimit lidhur me veprimet e Rusisë që nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës më 24 shkurt.
Këshilli ka qenë i paralizuar nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi kundër ofensivës ushtarake të Kremlinit për shkak të së drejtës së vetos nga Rusia.
Javën e kaluar Rusia e shpërndau projekt-rezolutën dhe një dokument 310 faqesh tek anëtarët e këshillit, me pretendimet se në laboratorët ukrainas po zhvilloheshin armë biologjike me mbështetjen e Pentagonit.
Pretendimi fillestar i Rusisë, për laboratorë sekretë amerikanë të luftës biologjike në Ukrainë në mars, është kundërshtuar nga shkencëtarë të pavarur, udhëheqës ukrainas dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit./voa
Fraksion.com