“Konfliktet në Ballkan”, Scholz: Lufta e Ukrainës na detyron të qëndrojmë së bashku
Në fillim të samitit të Procesit të Berlinit, kancelari gjerman Olaf Scholz, u bëri thirrje gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që të bashkëpunojnë për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e Evropës.
Scholz tha se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është në interes të Evropës. ”Prandaj, të gjithë ne duhet të rrisim angazhimin tonë për të përmbushur pritshmëritë e ngritura prej gati 20 vjet më parë në Selanik”.
Ai u shpreh i bindur se Procesi i Berlinit do ta përshpejtojë rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE: “Procesi i Berlinit jo vetëm që do të ndihmojë në çlirimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do të përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha kancelari gjerman.
Marrëveshjet e mobilitetit tre “hapa të guximshëm”
Kancelari gjerman lavdëroiarritjen e tre marrëveshjeve të mobilitetit, që do të nënshkruhen në kuadër të samitit, duke i quajtur ato “tre hapa të mëdhenj” dhe “të guximshëm” që do t’ua bëjnë më të lehtë njerëzve në rajon. Kancelari gjerman falënderoi në mënyrë të veçantë punën e bërë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal për arritjen e marrëveshjeve, si edhe Komisionin Evropian për mbështetjen thelbësore të dhënë në këtë proces.
Lufta e Ukrainës na detyron të qëndrojmë së bashku
Gjithashtu Scholz siguroi mbështetjen e Gjermanisë në planin afatshkurtër dhe afatgjatë, por kërkoi nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të mënjanojnë konfliktet rajonale. “Lufta brutale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës na detyron të qëndrojmë së bashku për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e Evropës. Është koha e duhur për të kapërcyer konfliktet rajonale që kanë vazhduar për shumë gjatë. Konflikte që ju ndajnë dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën tuaj drejt Evropës”, u tha kancelari gjerman gjashtë kryeministrave të pranishëm.
Në prag të samitit, qarqe nga Berlini kishin theksuar në këtë kontekst sidomos domosdoshmërinë e arritjes sa më shpejt të një marrëveshjeje në dialogun Serbi-Kosovë.
Procesi i Berlinit është iniciuar nga kancelarja Angela Merkel, në vitin 2014. Përveç Gjermanisë dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e të enjtes në Berlin marrin pjesë edhe përfaqësues nga vende të mëparshme mikpritëse të Procesit të Berlinit, Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Polonia, Bullgaria, si edhe Greqia, Sllovenia, Kroacia. Veç të tjerash në samit marrin pjesë presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen si edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.
Përveç tri marrëveshjeve në samit pritet të bëhet progres në bashkëpunimin rajonal në fushën e energjisë dhe klimës, si edhe për migracionin.
Fraksion.com