AktualitetRajoniTë fundit

6 liderët e Ballkanit nënshkruajnë tri marrëveshje për lëvizjen e lirë

Gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë vënë nënshkrimet e tyre mbi tri marrëveshje që u dakorduan në kuadër të Procesit të Berlinit.

Nënshkrimi vjen pas mbajtjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor, ku pjesëmarrës ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz,  presidentja e Komisionit Europian, Ursul von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Kosovën në këtë samit e përfaqëson kryeministri Albin Kurti dhe nga Serbia ka shkuar kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, krahas katër liderëve të tjerë të Ballkanit.

Tre marrëveshjet parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të BP, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Falë marrëveshjes tani të diplomuarit nuk do të kenë nevojë të paguajnë më tarifa prej 200 deri 500 euro për njohjen reciproke të diplomave.

Marrëveshjet e arritura janë tre nga katër marrëveshjet, për të cilat liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord qysh në samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Merkel. Por ato mbetën të paimplementuara për shkak të mungesës së vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë.

Në fjalën hyrëse të takimit, Scholz tha se këto marrëveshje do t’ia bëjnë më të lehtë jetën qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

“Sot do t’i nënshkruani tri marrëveshje të rëndësishme që do t’ia lehtësojnë njerëzve jetën. Tregu i përbashkët rajonal do të shtyjë përpara ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj. Marrëveshja do të ndihmojnë qytetarët tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime. Një student nga Sarajeva mund të përfundojë  studimet në Beograd apo një inxhinier në Tiranë duke përdorur gradën e tij mund të gjejë një punë në Shkup”, tha Scholz, derisa shtoi se këto marrëveshje i sjellin vendet afër standardeve të BE-së.

 

Fraksion.com