Ukraina akuzon pushtuesit rusë për përhapjen e dezinformatave në Kherson për të detyruar civilët të largohen
Ushtria e Ukrainës ka akuzuar zyrtarët e instaluar nga Rusia në rajonin jugor Kherson për përhapjen e dezinformatave për të detyruar civilët të largohen nga rajoni në një evakuim të detyruar, një krim lufte.
Në një deklaratë të martën, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha: “Okupatorët vazhdojnë zhvendosjen e detyruar të civilëve në territoret e pushtuara përkohësisht të rajonit Kherson”.
“Armiku përdor frikësimin e civilëve, duke përhapur dezinformata për një shpërthim të mundshëm të digës së hidrocentralit Kakhovka”, thuhet në deklaratë.
Forcat e armatosura të Ukrainës shpjeguan se popullsia lokale në Kherson është “privuar nga mjetet e komunikimit” dhe nuk është në gjendje të marrë një pamje të saktë të asaj që po ndodh realisht në luftë.
Më herët gjatë javës, zyrtarët e instaluar nga Rusia njoftuan një evakuim të ri nga Kherson, duke thënë se ata po i çojnë civilët në siguri për shkak të rrezikut që Ukraina mund të përdorë armë jokonvencionale.
“Për shkak të mundësisë së përdorimit të metodave të ndaluara të luftës nga regjimi ukrainas, si dhe informacionit se Kievi po përgatit një sulm masiv raketor në hidrocentralin Kakhovka, ekziston një rrezik i menjëhershëm i përmbytjes së rajonit të Khersonit”, Vladimir Saldo, kreu i instaluar nga Rusia i provincës Kherson të pushtuar, tha në një video-mesazh të hënën.
Ukraina ka mohuar kategorikisht pretendimin se synon të hedhë në erë digën dhe të përmbyt zonën.
Fraksion.com