Rama publikon dokumentin: Ja si funksionon shantazhi mediatik, AZHBR-së i kërkohen 120 milionë lekë
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale një shkresë e cila dëshmon, sipas tij, se si funksionon shantazhi mediatik.
Në dokumentin e publikuar nga Kreu i Ekzekutivit, një prej medieve kombëtare në vend rendit arsyet për realizmin e kronikave lidhur prej 50 episodesh për promovimin e projekteve të AZHBR-së dhe Ministrisë së Bujqësisë përgjatë 10 muajve si dhe investimet në zonat rurale dhe mbështetjen e fermerëve.
Pikërisht për realizmin e këtyre episodeve, ky televizion kërkon nga AZHBR mbështetjen financiare prej 120 milionë lekësh.
Rama shprehet se” nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) kërkohen 120 milionë lekë për t’u treguar shqiptarëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale”.
“AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj”, thekson Rama krahas dokumentit të publikuar.
Kryeministri nënvizon më tej se : “Atëherë pllaka kthehet përmbys dhe dynjasë i jepet një emision i tërë me gllabërim parash të bujqësisë, një fabrikim nga fillimi në fund me gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, e ngjashme si dy pika uji me një fabrikim nga i njëjti kanal për Rilindjen Urbane…”
Fraksion.com